Prej korrikut, kur nënpresidetja amerikane, Kamala Harris, e ka fituar përkrahjen e demokratëve kryesorë për të zëvendësuar presidentin amerikan, Joe Biden, në tiketën presidenciale të partisë, mediat amerikane kanë spekuluar se kë do të zgjedhë ajo për të garuar në pozitën e nënpresidentit.
Më 6 gusht, është bërë e qartë. Harris e ka zgjedhur guvernatorin e Minesotas, Tim Walz.
Njëjtë, spekulimet kanë qenë të mëdha edhe në periudhën 15-18 korrik, kur kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, është dashur të zgjedhë kandidatin që potencialisht mund të bëhet nënkryetar i Shteteve të Bashkuara.
Në fund ai e ka zgjedhur senatorin nga Ohajo, J.D.Vance, i cili si 39-vjeçar, do të mund të bëhet nënpresidenti më i ri në historinë amerikane, nëse Trump i fiton zgjedhjet.
Kushtetuta amerikane përcakton që presidenti duhet t’i ketë të paktën 35 vjet.
Mirëpo, pavarësisht gjithë ekzaltimit që rrethon garën e nënpresidentëve, ata rrallë janë në krye të lajmit pasi të fitojnë këtë pozitë, dhe kur të fitojnë vëmendje – siç thotë edhe një shaka – punët nuk janë mirë.
Pavarësisht se mban pozitën e dytë më të rëndësishme në shtet, një nënpresident ka më pak përgjegjësi.
Nënpresidenti shërben si president i Senatit amerikan, dhe kryeson mbledhjet e tij.
Mirëpo, nënpresidenti nuk ka të drejtë të votojë për një legjislacion, përveç nëse ky institucion me 100-anëtarë është i bllokuar, diçka që ka ndodhur gati 250 herë në historinë e shtetit.
Nënpresidenti ka përgjegjësi edhe për certifikim të rezultatit të Kolegjit Zgjedhor, pas zgjedhjeve presidenciale.
Kjo detyrë ka qenë historikisht e zakonshme deri më 6 janar 2021, kur Trump, atëherë ish-president, ka tentuar t’i bëjë presion nënpresidentit të atëhershëm, Mike Pence, që të refuzojë rezultatin e zgjedhjeve, por që Pence nuk ka pranuar të veprojë ashtu.
Nënpresidentët e përfaqësojnë presidentin në ceremoni zyrtare, sikurse në funerale, konferenca, samite dhe ngjarje tjera.
“Nënpresidenti zyrtarisht bën pak”, ka thënë Justin Vaughn, profesor i shkencave politike në Universitetin Coastal Carolina, i cili ka në fokus presidencat amerikane, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Pavarësisht përgjegjësive më të vogla, një nënpresident mund të ngjitet në krye të pushtetit, në rast se presidenti nuk mund ta ushtrojë më mandatin, vdes, jep dorëheqje, apo largohet prej zyrës për krime.
Skenarë të tillë kanë ndodhur vetëm dy herë në 61 vjetët e fundit.
Ish-nënpresidenti Lyndon Johnson, është betuar si president, pas vrasjes së presidentit John F. Kennedy, më 1963, derisa ish-nënpresidenti Gerald Ford, është ngjitur në krye të Shtëpisë së Bardhë më 1974, pasi presidenti i atëhershëm, Richard Nixon ka dhënë dorëheqje, për shkak të përfshirjes së tij në skandalin Watergate, hyrjen famëkeqe në selinë e Komitetit Kombëtar të Demokratëve në Uashington.
Nëse autoriteti zyrtar i një nënpresidenti nuk e ka një rëndësi të madhe, pse atëherë dikush pranon të marrë këtë pozitë?
Disa e shohin atë këtë pozitë si një hap larg presidencës, ka thënë Vaughn, derisa të tjerë, që janë afër fundit të karrierës, mund ta shohin atë si mundësinë e fundit për të punuar në Shtëpinë e Bardhë.
George H.W. Bush është në mesin e ish-presidentëve që ka shërbyer si nënpresident nën presidencën e Ronald Reaganit për tetë vjet, para se të fitonte zgjedhjet më 1988.
Vaughn ka thënë se Biden mund të pasur tendencën e njëjtë kur ka pranuar të bëhet nënpresident i Barack Obamas, pasi ka qenë 66 vjeç, dhe ka dështuar tri herë që të fitojë nominimin e demokratëve në garën presidenciale.
Biden nuk ka garuar kur ka përfunduar mandati i dytë i Obamas, mirëpo është bërë president katër vjet më vonë, më 2021.
Nënpresidentët, historikisht, nuk kanë qenë aq të mirë në sigurimin e pozitës së presidentit, vlerëson Vaughn.
Walter Mondale, që ka shërbyer nën presidencën e Jimmy Carterit (1977-1981), ka fituar nominimin e demokratëve për president më 1984, mirëpo ka humbur në garë kundër republikanit, Ronald Reagan.
Më 1988, Bush e ka zgjedhur një senator pak të njohur prej Indianas, Dan Quayle, për të garuar si nënpresident, dhe ka arritur t’i fitojë zgjedhjet.
Më vonë, më 1992, Bush dhe Quayle kanë humbur garën kundrejt Bill Clintonit dhe kandidatit për nënpresident, senatorit nga Tenesi, Al Gore.
Quayle ka synuar presidencën më 2000, mirëpo është larguar prej garës, pasi nuk ka arritur të ndërtojë një fushatë të suksesshme.
Ndërsa Gore, që është konsideruar prej ekspertëve si njëri prej nënpresidentëve më të shquar në historinë moderne të ShBA-së, ka humbur garën më 2000 kundrejt George W. Bushit.
Ndonëse mund të mos ketë fituar presidencën, Mondale konsiderohet të ketë qenë nënpresident i shkëlqyer dhe është konsideruar meritor në transformim të rolit të nënpresidentit, pasi ka shtruar rrugën që nënpresidentët të kenë më shumë ndikim në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë Vaughn.
Mondale është bërë nënpresidenti i parë me një zyrë në Shtëpinë e Bardhë, ka pasur dreka javore me presidentin, dhe kjo traditë vazhdon edhe sot.
Ai ka marrë pjesë në shumë takime të komiteteve, ka pasur ndikim në hartim politikash dhe ka krijuar shembullin e një nënpresidenti “aktiv”.
Rritja e ndikimit të nënpresidentëve, pas shembullit të vënë prej Mondales, ka mundësuar transformime brenda sistemit politik amerikan, ka thënë Vaughn.
Në fillim të shekullit 20, kandidatët presidencialë kanë zgjedhur kandidatë për nënpresidentë në bazë të votave që ka mund të sigurojë ai kandidat, dhe jo se çfarë politika mund të çojë përpara.
“Ata nuk kanë qenë partnerë në politika dhe shpesh as nuk kanë pasur ideologji të njëjtë. Ata kanë qenë vetëm figura të rëndësishme prej rajoneve të ndryshme”, ka thënë Vaughn.
Mirëpo, rreth gjysmëshekulli më parë, kandidatët presidencialë kanë nisur të kërkojnë kandidatë që do të mund t’iu ndihmonin në zbutjen e ndasive demografike, apo dallimeve tjera.
Sot, roli i një nënpresidenti “është pak a shumë çfarëdo që i kërkon të bëjë presidenti, e çka në fakt mund të jetë detyrë shumë e vogël apo simbolike, por edhe shumë e madhe dhe e rëndësishme”, ka thënë ai.
Mondale, Gore, Biden, dhe Dick Cheney, i cili ka shërbyer nën presidencën e George W. Bushit, janë shembuj të nënpresidentëve “aktivë”, që kanë pasur ndikim në hartim politikash, ka thënë Vauhn.
Cheney dhe Biden kanë pasur mundësi të fitojnë vëmendjen e shefave të tyre sepse nuk janë parë si figura që synojnë presidencën, sidomos për shkak të moshës, ka thënë ai.
Sa i përket Trumpit, 78-vjeçar, përzgjedhja e Vances i ka ndihmuar në krijimin e balancit mes gjeneratave, mirëpo kjo nuk do të thotë se do të rritet baza e përkrahësve.
Vace dhe Trump kanë pikëpamje të njëjta në shumë aspekte.
Mirëpo, meqë Trump mund të garojë vetëm për një mandat, Vance mund të garantojë që politikat e Trumpit do të dominojnë Partinë Republikane në vjetët, nëse jo dekadat në ardhje.
Walz është figurë me përvojë të konsiderueshme legjislative dhe ide progresive, mirëpo është e paqartë se sa do t’i ndihmojë Kamala Harrisit përzgjedhja e tij në Kolegjin Elektoral, pasi Minesota nuk konsiderohet shtet me rëndësi shumë të madhe për të fituar zgjedhjet,