Një e ardhme me tufa dronësh vrasës që sulmojnë njerëzit që u afrohen, ndoshta po afrohet, mirëpo dronët që operojnë krejtësisht me inteligjencë artificiale, vazhdojnë të jenë teknologji e paarritshme, të paktën për fushëbetejat në Ukrainë.
“Ende ekziston problemi i identifikimit të caqeve të armikut nga dronët”, tha një zëdhënës i Brave 1, një organizatë e Qeverisë ukrainase e përfshirë në zhvillimin e teknologjisë ushtarake.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nxitur avancimin e shpejt të teknologjisë së dronëve që ka mundësuar fluturake të lira, që bartin bomba, për të sulmuar caqe në vlerë prej miliona dollarësh. Por, në këtë garë armësh ku përfshihen dronët dhe “bllokuesit”, të cilët pengojnë sinjalin mes dronit dhe kontrolluesit të tij. Këto masa mbrojtëse duket se janë duke funksionuar.
Pilotët ukrainas të dronëve raportohet se po humbin mijëra dronë në muaj, për shkak të pajisjeve ruse që po pengojnë sinjalin. Përdorimi i fundit nga Rusia i një droni që kontrollohet me tela, tregon se ushtria pushtuese po ashtu po përpiqet të shmangë sistemet elektronike.
Disa zhvillues në Ukrainë janë të përqendruar në sistemet e dronëve që i lejojnë një piloti të operojë me disa dronë, të pajisur me armë, si një dron i vetëm. Por, prioriteti kryesor i zhvilluesve ukrainas të dronëve është “minimizimi i ndikimit të luftës elektronike”, sipas Brave 1.
“Dronët e pajisur me module shënjestruese që ndihmohen nga inteligjenca artificiale kërkojnë lidhje me operatorin gjatë fazës së sulmit”, tha zëdhënësi i Brave 1 për Radion Evropa e Lirë. “Operatori e identifikon shënjestrën dhe më pas inteligjenca artificiale e merr përsipër në mënyrë të pavarur procesin e sulmit, duke e bërë atë imun ndaj ndërhyrjeve të pajisjeve elektronike të armikut”.
Një dron i tillë, gjysmë-autonom, do të mund të shmangte pajisjet që përdoren për pengimin e sinjalit. Pasi sistemi gjurmues i inteligjencës artificiale të aktivizohej, droni nuk do të kishte nevojë më të ketë sinjal radioje me kontrolluesin dhe do të merrte vet “vendime”.
Pasi detektimi pamor është shumë kritik, dronët me inteligjencë artificiale me gjasë do të duhej të kenë sisteme të avancuara të kamerave, krahasuar me gjeneratën aktuale të dronëve kamikazë që përdoren nga Ukraina dhe Rusia. Kjo do të rriste koston e prodhimit të tyre, teksa avantazhi kyç i dronëve kamikazë është: çmimi i lirë.
Për më tepër, “instalimi i një moduli të inteligjencës artificiale do të rriste koston e dronëve, do të ndërlikonte procesin e prodhimit në masë” të tyre, tha zëdhënësi i Brave 1. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën, e cila nuk ka burime të shumta. Prandaj, prodhuesit vendorë aktualisht po punojnë shumë që të ulet kostoja e dronëve të tillë”.
Edhe sistemi më i thjesht i automatizuar për shënjestrimin e caqeve duket se po përballet me sfida në Rusi. Videot e fundit tregojnë se softueri i gjurmimit të caqeve duket se është çaktivizuar nga pilotët e dronëve kamikazë rusë dhe ata preferojnë që t’i kontrollojnë këto fluturake në mënyrë manuale, pasi rreziku i një gabimi katastrofik, veçmas me dronët që janë plotësisht autonomë, duket se është një pengesë e madhe.
“Prodhuesit e këtyre dronëve shpesh argumentojnë se ata janë të sigurt për shkak se softueri mund të bëjë dallimin mes shënjestrave që nuk paraqesin rrezik dhe civilëve, por ne kemi shumë informacione që kemi dëgjuar nga SHBA-ja… dhe në luftën në Ukrainë, jo gjithmonë ka dalë të jetë kështu”, tha për Radion Evropa e Lirë, Michael Boyle, profesor në Universitetin Rutgers dhe autor i një libri për dronët luftarakë.
Veçoritë e gjurmimit kanë qenë të qasshme që disa vjet në dronët komercialë, duke u lejuar pilotëve të dronëve që të identifikojë me prekjen e ekranit të kontrolluesit, shembull një automjet. Por, gjurmimi i një makine sportive është dukshëm më pak sfidues sesa shembull gjetja e një caku të kamufluar apo në zona të luftës të mbuluara me tym dhe me dronë që shpërthejnë sapo të godasin një cak.
Një tjetër rrezik është edhe hakimi, tha Boyle. “Nëse armiku nis të gjenerojë sulme, që nuk duken se janë të armikut, duke hakuar apo ndërhyrë në sinjal, rreziku i përdorimit të këtyre dronëve do të rritej shumë dhe ne mund të kemi një situatë ku ushtarët do të hezitojnë shumë që t’i përdorin këta dronë”, tha ai.
Larg nga fushëbetejat në Ukrainë, si Kina ashtu edhe Shtetet e Bashkuara besohet se po ndërtojnë ushtrinë e tyre të dronëve, që me gjasë do të luajnë rol të rëndësishëm në çdo konflikt në të ardhmen.
Kina e dominon tregun botëror të dronëve, kryesisht falë prodhuesit DJI. Që kur ka prodhuar dronin e parë më 2013, kompania vazhdon t’i prijë garës, qoftë sa i përket veçorive të fluturakeve, qoftë sa i përket shitjeve. Sot, DJI krenohet me rreth 70 për qind të tregut botëror të dronëve.
Kompania DJI mohon se ka lidhje me ushtrinë kineze, por analistët kanë përmendur si dëshmi investimet e mëdha nga Pekini, duke argumentuar se shteti autoritar mund të ketë dorë në operacionet e kompanisë multimiliardëshe.
Boyle tha se “është e qartë” që Pekini po zhvillon “një tufë dronësh për të sulmuar anijet detare në një konflikt të mundshëm mbi Tajvanin”.
Eksperti i dronëve shton se “ShBA-ja me kujdes i ka kushtuar vëmendje përdorimit të dronëve në Ukrainë dhe po investon shumë në prodhimin e dronëve të vegjël dhe të lirë në programin Replicator. Ata janë të bindur se në të ardhmen luftërat do të jenë të shpejta, vdekjeprurëse dhe do të luftohen me drona të vegjël”, tha ai.