Shkruan: Florim ZEQA
Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, datën e zgjedhjeve nuk e bën presidentja, por kryeministri, ashtu edhe doli që data e zgjedhjeve nuk u dekretua nga presidentja me rekomandim të opozitës, por me rekomandim të partisë në pushtet. Megjithatë opozita menjëherë e filluan festën e zgjedhjeve.
Posti i presidentit, “mollë sherri” apo përafrim i subjekteve politike
Caktimi i datës së zgjedhjeve paraqet afatin kohor të mundësisë e shprehjes së vullnetit të popullit përmes votës së lirë tek kutitë e votimit. Kurse për partitë politike, nga momenti i caktimit të datës së zgjedhjeve fillon fushata elektorale për joshjen e elektoratit përmes premtimeve dhe zotimeve elektorale.
Shkathtësia elektorale apo më mirë të themi aftësia personale e liderëve partiak për të bindur elektoratin përkthehet në votë të qytetarëve. Kështu ka qenë dhe do të jetë në të gjitha fushatat elektorale dhe proceset zgjedhore.
Ajo që del jashtë parashikimeve dhe rezultateve zgjedhore janë koalicionet pas zgjedhore të cilat i prishin të gjitha llogaritë e partive politike. Më përjashtim të zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur LVV e arriti optimumin e nevojshëm për ta formuar e vetme qeverinë, në të gjitha zgjedhjet e pasluftës kemi pasur koalicione paszgjedhore mes subjekteve fituese dhe atyre humbëse të zgjedhjeve për formimin e qeverisë dhe jo vetëm.
Pasi, në të gjitha rastet, përfshirë edhe zgjedhjet e fundit, ishte posti i presidentit ai i cili i bëri bashkë pozitën dhe opozitën për zgjedhjen e presidentes!
Thënë ndryshe, çdo herë dhe pas secilës palë zgjedhje kemi pasur kontrabandim të vullnetit të elektoratit për zgjedhjen e qeverisë dhe presidentit. Mbase kështu do të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, kur do të bëhet shkas posti i presidentit për bipolarizimin e skenës politike kosovare!
Qeveria e parë që e çon në fund mandatin politik
Në vendet e lira dhe demokratike, dita e zgjedhjeve konsiderohet festë nacionale, kurse për partitë tona opozitare siç duket festa ka filluar në mbrëmjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, pra më 16 gusht 2024, të cilat bashkë me fushatën e filluan edhe festën elektorale!
Arsye të vërtetë për të festuar datën e zgjedhje ka vetëm partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje e cila për herë të parë pas përfundimit të luftës i fitojë zgjedhjet me rezultat të lartë zgjedhor dhe është e para qeveri që e qon deri në fund mandatin politik!
Partitë opozitare i kanë një mijë e një arsye që t’i gëzohen datës së zgjedhjeve, por jo edhe të festojnë, pasi nuk arritën t’ia shkurtojnë as për një ditë të vetme mandatin qeverisë aktuale, e cila, dorën në zemër mbeti shumë larg premtimeve elektorale për vettingun në drejtësi, për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, duke e shpenzuar kohën më të madhe duke u marrë me problemin e veriut, pa e zgjidhur asnjë problem jetik të qytetarëve shumicë (shqiptarëve) në Republikën e Kosovës, siç janë sigurimet shëndetësore, nivelimi i pagave, barazia sociale, etj.!
Përderisa pushtetarët do ta përdorin veriun si kartën kryesore për mburrje dhe krenari gjatë fushatës zgjedhore, në anën tjetër opozita do t’i përdor sanksionet ndërkombëtare dhe dështimin në politikat e brendshme të qeverisë, siç janë aspekti ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve.
Urojmë që të njëjtën ndjenjë të fitores ta kenë të gjitha partitë në garën zgjedhore në mbrëmjen e 9 shkurtit 2024, pas publikimit të rezultateve preliminare, për t’i dhënë kështu mesazhin më të mirë botës demokratike, se ne shqiptarët jemi shtetformues dhe shtetndërtues të përgjegjshëm në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor!
Mbase është herët për të dhënë parashikime zgjedhore, por një gjë mund ta them me saktësi, se LVV përsëri do të jetë e para, por me kuota shumë më të ulëta (nën 40 %). Përderisa LDK e PDK do të përcaktojnë vendin e dytë, AAK përsëri do të jetë e katërta me një ngritje të lehtë elektorale. Pra, LVV-së për vazhdimin e qeverisjes me vendin i duhet një partner i ri qeverisës duke ia dhënë postin e kryeministrit dhe duke e vënë në pazar postin e presidentit, në të kundërtën do të mbetet në opozitë. Majmeni për fjale!