Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përmendur faktin që Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka statusin e kandidatit për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, pavarësisht të gjitha përmbushjeve politike. Për dialogun ka thënë se Serbia është pala që nuk i respekton marrëveshjet, teksa tryeza e diskutimeve është vendosur mbrapsht.
“Tryeza është vendosur mbrapsht, përkundër faktit që Kosova ka negociuar me Serbinë për 13 vjet me radhë. Diku rreth 40 marrëveshje janë arritur, duke përfshirë marrëveshjen bazë dhe aneksi plotësues. Nëse shihni listën e mos zbatimit të detyrimeve nga Serbia, është shumë, deri nesër do të na duhej vetëm t’i lexonim”, ka thënë Osmani, teksa ka përmendur disa nga marrëveshjet e pa zbatuara nga Serbia.
Ajo ka thënë se Kosova nuk e sheh procesin meritor ashtu siç e thotë BE, sepse përndryshe “Kosova do të ishte të duhej lideri i garës drejt integrimit Evropian”.
“Përgjatë gjithë ekzistencës sonë, kemi luftuar për një Evropë që është e lirë, në paqe dhe e ndërtuar mbi vlerat më të rëndësishme për njerëzimin, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit. Po, jemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka status të kandidatit përkundër faktit që jemi në përputhje 100% me çdo lloj vendimi të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, kemi vendosur të gjitha sanksionet ndaj çdo shteti dashakeqës”, ka thënë ajo.
Tutje Osmani ka thënë se nuk ka një vend më pro komuniteteve, me diversitetin e tillë fetar dhe që nuk bart etno-nacionalizma.
“Parlamenti ynë çdo ligj që e miraton, siguron përputhshmërinë e plotë me komunitet dhe legjislacione evropiane; sigurohemi që të gjitha reformat ekonomike të jenë plotësisht në përputhje me BE dhe siç e thashë, mbi 97% e popullit të Kosovës janë në favor të integrimit evropian. Ke një sentiment pro evropian, pro NATO, janë njerëz që janë aq të etur për të kontribuuar. Kemi popullatën më të re, shumëgjuhësh, të shkëlqyeshëm, shumë novator në teknologji, pro demokratike”, ka thënë Osmani.
Ajo përmendi heroizmin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në luftën për civilizim dhe Evropë.
Osmani: Me ShBA ka mospajtime për qasje, por kurrë për qëllimin final
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ketë mos pajtime e diferenca për disa qasje, por asnjëherë për qëllimet finale.
“Tani mund të dëgjojmë deklarata mos pajtimi midis zyrtarëve në ShBA dhe Qeverinë e Kosovës për disa prej qasjeve, por asnjëherë për sa i përket qëllimit përfundimtar dhe vlerave fundamentale të përbashkëta. Nuk ka asnjë mos pajtimi mbi faktin që dy anët duan një Kosovë që është sovrane, e pavarur, në kufijtë aktual të suksesshëm, prosperuese, shumetnikë, të ndërtuara mbi Kushtetutën e saj. Por ndonjëherë qasja drejt mbajtjes së një Kosove demokratike, të fortë e të drejtë, mund të dallojnë. Mund të ketë diferenca në këtë drejtim, por asnjëherë nuk ka pasur e as sot nuk ka mbi atë se çfarë Kosove duam, cilat janë vlerat”, tha Osmani gjatë pjesëmarrjes si folëse në forumin global të sigurisë, “GLOBSEC 2024” në Pragë të Çekisë.
Ajo ka thënë në mënyrë simbolike se mos pajtimet nuk janë për rrugën, sepse ajo është e njëjta për dy palët, por vetëm për shpejtësinë me të cilën kalohet rruga.
Osmani ka thënë se ShBA kanë gjurmë në gjithë procesin shtet ndërtues dhe e cilësoi këtë si sukses të përbashkët. Ajo përmendi faktin që 97 % e popullsisë e shohin vendin amerikan si aleati më primar.
“Marrëdhënia midis ShBA dhe Kosovës është diçka që kemi ndërtuar ndër vite. Na janë gjetur përkrah në periudhën më të errët të vendit, për të shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja që ishte planifikuar. Ky ka qenë themeli i asaj çfarë kemi ndërtuar për 25 vjet me radhë, por që shkon edhe më tej sepse ShBA-të i kemi parë si lider të botës demokratike dhe liderët kanë qenë shumë të zëshëm në kuptimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë”, deklaroi Osmani.
“Serbët në veri janë ata që vuajnë më së shumti nga bandat mafioze serbe”
Osmani ka thënë se grupet ilegale kriminale paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, duke përfshirë edhe kryerësit e krimit në sulmin e shtatorit të vitit të kaluar në Bansjkë. Ajo ka thënë se autorët mbahen fshehtë nga autoritetet e Beogradit, në mënyrë që të mos ballafaqohen me drejtësinë.
“Krimet e kryera, vrasjen e politikanëve serb, djegien e shtëpive dhe veturave në veri, duke i kërcënuar fëmijët në çerdhet e veriut ata që vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara e të përkrahura nga Vuçiqi në Serbi, janë vetë serbët e Kosovës”, ka thënë ajo.