Shkruan: Florim ZEQA
Mesazhi i Hovenier “nuk duhesh të urinosh para derës së klubit ku dëshiron të hysh” i aluduar ndaj Albin Kurtit, është mesazhi më i keq dhe më shqetësues për Kosovën në këtë fazë të marrëdhënieve të tendosura Kosovë-BE dhe Kosovë-SHBA!
-Mesazhet shqetësuese që vijnë për Kosovën nga aleatët kryesorë, në veçanti nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, duhet ta shqetësojnë secilin qytetar të vendit tonë dhe secilin lider shtetëror dhe partiak, pa dallim pushtet dhe opozitë. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, edhe një herë bëri thirrje që Kosova dhe Serbia pa vonesa të fillojnë zbatimin e obligimeve të dala nga dialogu i Brukselit dhe aneks marrëveshja e Ohrit.
Për dallim nga zyrtarët e BE-së, mesazhi amerikan është i qartë dhe i prerë, duhet angazhim i dyanshëm për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi me synim përfundimtar njohjen e ndërsjellë. Ky mbetet objektiv dhe synimi i qartë i SHBA-së për përmbylljen sa më të shpejtë të dialogut të stërzgjatur Kosovë-Serbi, për përmbushjen e të gjitha obligimeve ndërkombëtare. Për dallim nga BE-ja mosnjohëse e Kosovës, SHBA-të janë të interesuara që të shohin progres në dialog pa i komprometuar themelet e Kosovës, që i bie, se SHBA-ja e kërkon njohjen reciproke mes dy shteteve në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Kosovës. Çdo ndryshim në sovranitetin, pavarësinë apo integritetin territorial të Kosovës, përveçse nuk paraqet progres demokratik, i dëmton të gjitha të arriturat e deritanishme në dialogun e Brukselit dhe e lëndon rëndë demokracinë perëndimore në përgjithësi.
Edhe një herë po i kthehem mesazhit ironizues, por shumë serioz të Hovenierit:“nuk duhesh të urinosh para derës së klubit ku dëshiron të hysh”.
Me fajin tonë, respektivisht të politik-bërjes kosovare, dialogu i nisur për njohje reciproke ka përfunduar në dialog për asociacionin!
Pra, kërkesat e krerëve të shteteve aleate drejtuar Kosovës dhe Serbisë për përmbylljen e dialogut me njohje reciproke, u kthyen në kërkesa për themelimin pa kushte të Asociacionit një etnik! E gjithë kjo nga paaftësia dhe kryeneçësia e kryeministrit Albin Kurti, i cili sillet si “supermen” i filmave të vizatuar para superfuqisë politike dhe ushtarake në botë, duke u thënë atyre, po citoj: “Ne jemi shtet i pavarur dhe vendimet i marrim vet”!
Një përgjigje të tillë ndaj SHBA-ve dhe NATO-s nuk është në gjendje ta thotë sot asnjë nga shtetet e Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Italinë, vendin nga i cili u ngritën aeroplanët bombardues të NATO-s 25 vite më parë për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Kurse ‘Qeveria e Kosovës’ me vogëlsinë e saj po mundohet ta ndryshojë rendin botëror, duke ju rekomanduar fuqive të mëdha se çfarë duhet të bëjnë e çfarë jo në Ballkan, e ndaj Kosovës në veçanti!