(E plotesuar)
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev. Pas takimit kokë me kokë me homologun bullgar, krerët e dy shteteve, mbajtën një konferencë për media.
Në fjalën e tij, presidenti Radev, pasi shprehu kënaqësinë për takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se Bullgaria vazhdon të mbështesë Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008.
“Kemi diskutuar perspektivën evropiane për Kosovën. Ne mirëpresim angazhimin e lidershipit të Kosovës për integrime dhe vazhdimin e reformave shtetërore”, tha presidenti bullgar.
Ai deklaroi se lufta ndaj krimit e korrupsionit, janë pika kyçe për Kosovën për anëtarësim në BE.
Presidenti Radev tha se mirëpret solidarizimin e Kosovës, dhe orientimin drejt BE-së.
“Mirëpresim të gjitha angazhimet e Kosovës për procesin e dialogut dhe shpresojmë të ketë një përfundim të shpejtë”, tha ai, duke shtuar se “Bullgaria e mbështetë Kosovën për anëtarësim në strukturat evropiane”.
Kreu i shtetit bullgar deklaroi se në takim, janë diskutuar edhe çështje të tjera si lufta në Ukrainë dhe ndikimi i saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai shtoi se ushtria e Bullgarisë vazhdon me prezencë në kuadër të KFOR-it dhe NATO-s, për të ofruar siguri dhe stabilitet.
Sipas presidentit bullgar, në të gjitha iniciativat tjera rajonale jashtë BE-së, Bullgaria ka kontribuar në arritjen e qëlllimeve të bazuara në parimin e fqinjësisë së mirë.
“Dëshiroj të ftoj lidershipin kosovar në procesin e dialogut dhe t’i përgëzoj për marrëveshjen e arritur me 23 nëntor, në qetësimin e tensioneve në veri të vendit dhe në aplikimin e masave për minimizimin e tensioneve”, tha ai.
Radev tha se pjesë e rëndësishme e diskutimeve me presidenten Osmani-Sadriu, ishte edhe komuniteti bullgar në Republikën e Kosovës.
“Mirëpresim angazhimin për ndërtimin e shoqërisë multi-etnike dhe t’u ndihmojmë komuniteteve jo shumicë, që të kenë mekanizmat dhe përfaqësim në fushën e politikës e ekonomisë, që ta rrisin prezencën kulturore dhe edukimin e tyre”, tha ai.
Presidenti bullgar potencoi se pikë kyçe në bisedë me homologen Osmani-Sadriu, ishte zbatimi i rekomandimit që komuniteti bullgar, të ketë të drejta të barabarta në përfaqësim në nivelin legjislativ të Kosovës.
Nga ana e saj, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu deklaroi se Kosova e konsideron partner dhe aleat të fortë Bullgarinë dhe e falendëron atë për mbështetjen e dhënë, ndër të tjera, edhe në kuadër të KFOR-it.
“Ka sfida të shumta dhe falendërojmë Bullgarinë për aleancën dhe miqësinë”, tha Osmani-Sadriu, duke shtuar se Kosova është e gatshme të thellojë këtë bashkëpunim.
Duke shpjeguar se vendi po kalon nëpër reforma të thella ekonomike edhe në mbulimin e respektimit në nivel shteti, sa më të madh të të drejtave të njeriut, presidentja rikujtoi se aktualisht ka më shumë 100 investitorë bullgarë në Kosovë.
Kosova ka potenacial të madh për investime”, tha ajo, për të përmendur më pas, një temë tjetër diskutimi.
“Kemi biseduar edhe për mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si kjo në Këshillin e Evropës që është pikërisht për të drejtat e njeriut. Prandaj, kosovarët si pjesë e Evropës, e kanë të drejtën të jenë pjesë e saj”.
Presidentja Osmani-Sadriu rikujtoi se Kosova do ta dorëzojë këtë vit, aplikimin për antarësim në BE. “Nuk do të dorëzohemi asnjëherë në qëllimin tonë për aëntarësim”.
Ajo tha se Kosova është shtet modern e demokratik dhe aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe organizatave të tjera.
“Është shumë e rëndësishme të ecim përpara edhe në ‘Partneritetin për Paqe’ me NATO-n. Ne duam të jemi pjesë e NATO-s”, tha Osmani-Sadriu, e cila kërkoi që edhe ushtarëve të Kosovës, t’u jepet mundësia që krah ushtrisë bullgare, të kontribuojnë për paqe.
“Kemi nënshkruar rreth 30 marrëveshje me Bullgarinë dhe vazhdojmë të kërkojmë të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, si në fushën e energjisë, sigurisë e mbrojtjës,e po ashtu e dhe në bashkëpunimin mes organizatave tona të zbatimit të ligjit”.
Ajo tha se nga vizita e saj në Sofje, ka rezultate konkrete.
“Jemi ngushtë të interesuar për krizën energjetike. Presidenti bullgar ka vendosur që menjëherë të krijojë grup ndërministerial për tejkalim të krizës energjetike”, tha Osmani-Sadriu.
Presidentja kosovare deklaroi se Kosova qëndron fuqishëm në rrugëtimin drejt BE-së dhe është shteti më pro BE e NATO.
“Këto dy organizata kanë mbështetje të madhe. Shpresoj që Bullgaria të na ndihmojë, së bashku edhe me disa shtete të tjera”.
Ajo më tej foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces që sipas saj, ka tejkaluar çdo afat.
“Kosova ka plotësuar para pesë vjetësh të gjitha kriteret, shumë nga të cilat nuk i janë ngarkuar asnjë shteti tjetër”, rikujtoi presidentja e Kosovës, e cila shprehu besimin që në Samitin e dhjetorit në Tiranë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, vendi të marrë mbështetje konkrete, që do të ishte mesazh i madh për kosovarët.
Sa i përket luftës në Ukrainë, Osmani-Sadriu rikujtoi faktin se Kosova është në linjë me Bashkimin Evropian.
“Populli i Kosovës e di shumë mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat. Kjo është luftë, jo vetëm për sovranitetin e tyre”.
Derisa foli për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, deklaroi se ka vetëm një zgjidhje dhe ajo është njohja reciproke.
“Kosova është e pavarur dhe ky realitet është i pakthyeshëm. Shpallja e pavarësisë sonë është fituar nga sakrifica e madhe e popullit të Kosovës”, tha ajo.
—–
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Bullgari, me ftesë të presidentit Rumen Radev.
Presidenti bullgar e priti homologen kosovare me një ceremoni zyrtare para Katedrales së Shën Aleksandër Nevskit.
Të dy presidentët parakaluan me ndërime para Gardës së Nderit, kurse presidentja Osmani-Sadriu, vendosi kurorë lulesh pranë monumenti të Ushtarit të Panjohur, raporton BTA, transmeton RTKlive.
Pas ceremonisë së mirëseardhjes, presidentët Radev dhe Osmani-Sadriu, janë duke zhvilluar një takim kokë më kokë, e më pas do të ketë bisedë ndërmjet delegacioneve zyrtare.
Krerët e të dy shteteve do të diskutojnë çështjet e agjendës dypalëshe dhe rajonale, perspektivën evropiane të Kosovës dhe mënyrat për të nxitur bashkëpunimin në ekonomi, investime, energji, transport, turizëm, arsim, shkencë dhe kulturë.