Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një revole, dy boksa të hekurit dhe dy armë të ftohta janë kapur në një autobus urban në Ferizaj.
Policia të martën ka kryer një kontroll në autobusin që qarkullon nga Ferizaj në drejtim të fshatrave Doganaj-Greme dhe Gaçkë, e ku këto armë ju kanë kapur nxënësve.
“Zyrtarët policor me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kryesisht kanë qenë nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një ‘Box hekuri’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Për të gjitha këto veprime është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar një rast për hetim ‘’Mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës’’.
Policia ka theksuar se kontrollimi i autobusëve urban do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me qëllim parandalimin dhe luftimin e dukurive negative tek nxënësit.
Policia ka ftuar qytetarët për bashkëpunim dhe nëse kanë informacione rreth dukurive negative tek nxënësit të njoftojnë menjëherë stacionin më të afërt të policisë, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë” ose në numrin 192. /Kosovatimes/