“Aleksandar Vuçiq erdhi në pushtet si zëvendëskryeministër i një demokracie tranzicionale që donte të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Ai tani qeveris një shtet gjithnjë e më autokratik që ka bërë pak përparim drejt BE-së. Ai qëndroi në pushtet, por në kurriz të sistemin politik dhe aspiratat e vendit të tij” , thekson Daniel Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins në SHBA në një intervistë për Danas.
I pyetur sesi Vuçiq ia doli të ulet në dy karrige për vite me rradhë – mes Lindjes dhe Perëndimit, Serwer u përgjigj sepse Uashingtoni vendosi ta tolerojë atë.
* Vuçiq nuk shkoi në samitin e BRICS në Kazan. A ishte ndoshta një favor për Perëndimin?
– Nuk mendoj se askujt në Perëndim i intereson nëse Vuçiq do të shkojë në samitin e BRICS. Sigurisht, ai mund të përpiqet t’ua shesë këtë diplomatëve sylesh si pjesë e narrativës së tij të rreme të “kthimit në Perëndim”.
* Çfarë pasojash do të ketë kjo në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë? Serbia nuk ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
– Moska ka vendosur që do të tolerojë edhe qasjen “dy karrige” të Vuçiqit. Por ndryshe nga Uashingtoni, Vuçiç i jep Moskës pjesën më të madhe të asaj që dëshiron.
* Marrëdhëniet mes Serbisë dhe pjesës tjetër të rajonit nuk kanë qenë kaq të këqija për një kohë të gjatë. Cili është roli i Vuçiqit në këtë? A ndërhyn Serbia në punët e brendshme të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi…?
– Ndërhyrja në Mal të Zi është e dukshme. Ndërhyrja në Bosnje dhe Hercegovinë është disi më pak e dukshme, por kjo ndodh sepse Milorad Dodik më së shumti bën atë që dëshiron Vuçiq. Ai aspiron një “botë serbe”, që do të thotë se Beogradi de facto kontrollon popullsinë serbe në vendet fqinje. Ai po bën shumë progres në këtë drejtim.
* Çështja e minierave të litiumit në Serbi është ndoshta më e rëndësishmja për momentin. Çfarë mendoni për marrëveshjen mes Vuçiqit dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz? Sipas jush, a duhet Serbia të pajtohet me nxjerrjen e litiumit? Çfarë i ofroi BE Vuçiqit për litium?
– Unë nuk jam mjaft i informuar nëse Serbia duhet të pajtohet me nxjerrjen e litiumit, kështu që nuk do të shqetësohem me të. Ajo që di është se ka shumë litium në mbarë botën dhe se litiumi ndoshta nuk do të jetë zgjidhja përfundimtare për bateritë elektrike gjithsesi. Ju do të duhet të pyesni Brukselin se çfarë ka ofruar për litium. Lëvizja mjedisore në Serbi është një lëvizje serioze që shtron pyetje serioze. Qeveria duhet të jetë e gatshme të japë përgjigje serioze.
* Dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës praktikisht nuk ekziston. A ka zgjidhje?
– Po, sigurisht. Serbia mund të shpallë se respekton autoritetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se do ta trajtojë atë në mënyrë fqinjësore. Më pas ajo mund të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për incidentin terrorist në Banjska dhe trazirat kundër trupave të KFOR-it. Një gjë e tillë do të ndryshonte në mënyrë dramatike dialogun, edhe pa njohje zyrtare diplomatike. Në vend të kësaj, Beogradi bëri të kundërtën. Ai vazhdon të vërë në dyshim autoritetin qeverisës dhe integritetin territorial të Kosovës në çdo rast.
* Të gjithë presim zgjedhjet presidenciale në SHBA. Për çfarë shpreson Vuçiq? Si do të ndikojnë zgjedhjet në Serbi dhe në rajon?
Vuçiq shpreson që Trump të rizgjedhet për të rifilluar bisedën për ndarjen e Kosovës. Kjo mund të destabilizojë të gjithë rajonin e Ballkanit.
* Kur dhe në çfarë kushtesh mund të përfundojë lufta në Ukrainë?
– Kush e di. Por nuk mendoj se do të përfundojë vërtet derisa Rusia të mposhtet dhe të tërhiqet nga i gjithë territori i Ukrainës. Çdo gjë më pak do të thotë përpjekje të përsëritura dhe të vazhdueshme nga Moska për të minuar sovranitetin dhe demokracinë e Ukrainës.
* Çfarë mendoni për situatën në Lindjen e Mesme? A mund të përshkallëzohet më tej?
– Sigurisht që mund të përshkallëzohet më tej. Ne mund të jemi në prag të luftës midis Iranit dhe Izraelit. Biden po përpiqet ta parandalojë, por deri më tani ai nuk ka pasur shumë sukses në parandalimin e përshkallëzimit. Kryeministri i Izraelit Netanyahu është i vendosur të vazhdojë luftën derisa të mund të shpallë një fitore që do t’i lejojë atij të fitojë zgjedhjet. Ai nuk ka arritur ende atje.