AP
Qeveritë perëndimore po synojnë kufizimin e çmimit të eksporteve të naftës ruse, si përpjekje për të kufizuar të ardhurat nga karburantet që e mbështesin buxhetin e Moskës, ushtrinë e saj dhe pushtimin e Ukrainës.
Çmimi tavan hyri në fuqi të hënën, në të njëjtën ditë që Bashkimi Evropian vendosi bojkot për shumicën e naftës ruse – naftën e papërpunuar që transportohet përmes detit.
Çmimi tavan prej 60 dollarësh për një fuçi u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë më 2 dhjetor.
Ja çfarë duhet të dini për kufirin e çmimeve, embargon e BE-së dhe çfarë mund të nënkuptojnë ato për konsumatorët dhe ekonominë globale:
Si do të funksionojë çmimi tavan?
Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-ës (ShBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.
Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se çmimi tavan kufizon burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të presidentit rus, Vladimir Putin, duke mbajtur rrjedhën e naftës ruse në ekonominë globale.
Qëllimi është që të dëmtohen financat e Moskës duke shmangur një rritje të shpejtë të çmimit të naftës, krahasueshëm me atë nëse nafta ruse do të hiqej papritur nga tregu global.
Kjo masë ua ndalon shteteve që të paguajnë më shumë se çmimi tavan për një fuçi – 60 dollarë – për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.
Si do të vazhdojë rrjedha e naftës në ekonominë globale?
Zbatimi i gjerë i këtij ndalimi, i vendosur nga BE-ja dhe Britania e Madhe në rundet e mëparshme të sanksioneve, mund të hiqte aq shumë naftë të papërpunuar ruse nga tregu, saqë çmimet e naftës do të rriteshin, ekonomitë perëndimore do të vuanin dhe Rusia do të shihte rritje të fitimeve nga çfarëdo nafte, në kundërshtim me embargon.
Rusia, prodhuesi numër dy i naftës në botë, ka ridrejtuar tashmë pjesën më të madhe të furnizimit të saj në Indi, Kinë dhe vende të tjera aziatike me çmime të zbritura, pasi klientët perëndimorë e shmangën atë edhe përpara ndalimit të BE-së.
Efektet e çmimit tavan
Çmimi tavan prej 60 dollarësh nuk do të kishte shumë ndikim në financat e Rusisë, tha Simone Tagliapietra, një eksperte e politikave energjetike në institutin Bruegel në Bruksel.
“Çmimi tavan nuk është një numër i kënaqshëm”, tha Tagliapietra, por do të parandalonte Kremlinin të përfitonte nëse çmimet e naftës rriten papritur.
“Çmimi tavan mund të ulet me kalimin e kohës nëse duam të rrisim presionin ndaj presidentit rus, Vladimir Puti. Problemi është se tashmë kemi kaluar shumë muaj duke pritur për një masë për të ulur fitimet e naftës së Putinit”, tha ajo.
Nëse kufiri do të kishte qenë aq i ulët sa 50 dollarë, do të shkurtonte të ardhurat e Rusisë dhe do ta bënte të pamundur për Rusinë të balanconte buxhetin e saj shtetëror, me Moskën që besohet se kërkon rreth 60 deri në 70 dollarë për fuçi për ta bërë të ashtuquajturën “ndërprerje fiskale”.
Megjithatë, një kufi prej 50 dollarësh do të kishte qenë ende mbi koston e prodhimit të Rusisë midis 30 dhe 40 dollarë për fuçi, duke i dhënë Moskës një nxitje për të vazhduar shitjen e naftës.
Robin Brooks, ekonomist në Institutin për Financat Ndërkombëtare në Uashington, shkroi në Twitter javën e kaluar se një tavan prej 30 dollarësh do t’i “i jepte Rusisë krizën financiare që e meriton”.
Çmimi tavan prej 60 dollarësh për një fuçi hyri në fuqi të hënën dhe u miratua pas disa muajsh punë e mosmarrëveshjes mes vendeve për shumën e çmimit tavan.
Maria Shagina, eksperte sanksionesh në Institutin Ndërkombëtar për Studimet Strategjike në Berlin, tha se “60 dollarë është më mirë sesa të mos bien dakord fare. Ata padyshim mund ta rishikojnë atë më vonë”.
“Flota e errët”
Rusia ka thënë se nuk do ta respektojë çmimin tavan dhe do t’i ndalojë dërgesat në vendet që e respektojnë këtë kufi. Rusia mund të hakmerret duke mbyllur dërgesat e saj me shpresën për të përfituar nga një çmim më i lartë global i naftës.
Gjithashtu, Rusia mund të shesë naftë duke përdorur cisterna të “flotës së errët” me pronësi të panjohur, siç kanë bërë Venezuela dhe Irani. Nafta mund të transferohet nga një anije në tjetrën dhe të përzihet me vaj të një cilësie të ngjashme, për të maskuar origjinën e saj.
Edhe në ato rrethana, çmimi tavan do ta bënte atë “më të kushtueshme dhe kërkon më shumë kohë”, tha Shagina.
Distancat më të mëdha të përfshira në transportin e naftës në Azi nënkuptojnë gjithashtu se nevojiten deri në katër herë më shumë kapacitete në cisternë – dhe jo të gjithë do ta bënin këtë.
Po embargo e BE-së?
Prodhuesit rusë mund të mos jenë në gjendje të ridrejtojnë të gjithë naftën e tyre nga Evropa, dikur klienti i tyre më i madh, dhe disa mund të humbasin në tregun global – të paktën në fillim.
Analistët në Commerzbank thonë se embargoja dhe kufiri i BE-së bashkë mund të rezultojnë në “një shtrëngim të dukshëm në tregun e naftës në fillim të vitit 2023”, dhe presin që çmimi ndërkombëtar Brent të rritet përsëri në 95 dollarë për fuçi në javët e ardhshme.
Çmimet e naftës Brent në tregun global ranë të premten në 85.48 dollarë për fuçi.
Ndikimi më i madh nga embargoja e BE-së mund të mos vijë të hënën, por më 5 shkurt, kur ndalimi shtesë i Evropës për produktet e rafinerive të prodhuara nga nafta – si karburanti dizel – hyn në fuqi.
Evropa ka ende shumë makina që punojnë me naftë. Karburanti përdoret gjithashtu për transportin e kamionëve për të dërguar një gamë të madhe mallrash te konsumatorët dhe për të drejtuar makineri bujqësore – kështu që këto kosto më të larta do të shpërndahen në të gjithë ekonominë.