Donald Trump do të jetë përsëri president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, Trump arriti t’i tejkalojë ndasitë brenda Partisë Republikane, sfidat ligjore nga mandati i parë në vitet 2017-2021, dhe një atentat ndaj tij.
Gjatë kësaj periudhe ai u përball, gjithashtu, me ndryshimet në Partinë Demokratike, kur presidenti në largim, Joe Biden, u zëvendësua nga nënpresidentja Kamala Harris si kandidate.
Në moshën 78 vjeç, Trump është presidenti më i moshuar që i ka fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA, duke ia kaluar Bidenit, i cili ishte 77 vjeç kur e mposhti atë katër vjet më parë.
Kur të bëjë betimin më 20 janar, Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan që ka shërbyer si i 45-ti dhe i 47-ti president i Shteteve të Bashkuara.
Ai është, po ashtu, presidenti i parë që është përballur me dy procese gjyqësore për shkarkim dhe gjithashtu i pari që është dënuar për një krim.
Para nisjes së mandatit të dytë, ai vazhdon të përballet me dy çështje penale të papërfunduara – njëra që lidhet me përpjekjet e supozuara për të penguar marrjen paqësore të pushtetit nga Bideni dhe tjetra për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias. Kurse, një çështje tjetër penale, lidhur me ruajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara, u hodh poshtë në korrik.
Pavarësisht këtyre sfidave, në fushatën e tij të katërt presidenciale Trump solli një bagazh përvoje dhe një bazë të fortë mbështetësish.
Shumë prej ndjekësve të tij mbështetën në vazhdimësi qëndrimin e tij për të mos e pranuar humbjen e zgjedhjeve ndaj Bidenit, retorikën e ashpër ndaj kundërshtarëve politikë, si dhe pretendimet se problemet e tij ligjore ishin pjesë e një “gjuetie shtrigash” të drejtuar kundër tij.
Trump, gjithashtu, kryesoi sondazhet e votuesve mbi atë se cili kandidat ishte më i besueshëm për të trajtuar çështje delikate si imigracioni dhe kostot e larta të strehimit dhe ushqimit.
Ai u pa si kandidati më i përshtatshëm për të rindërtuar Amerikën, të cilësuar vazhdimisht prej tij si të mbingarkuar nga emigrantë të paligjshëm.
Në fushatën e tij të vitit 2016, Trump fitoi përkrahjen e votuesve me premtimet për ta “bërë Amerikën përsëri madhështore”, krijimin e marrëveshjeve më të mira tregtare dhe rritjen e buxhetit ushtarak të ShBA-së, si pjesë e përpjekjeve për të rikthyer respektin për SHBA-në në arenën ndërkombëtare.
Si lider, që e ka dëshmuar veten në arenën globale, Trump u pa nga votuesit e shtatë shteteve vendimtare për përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve, po ashtu si kandidati më i përshtatshëm për të udhëhequr vendin mes konflikteve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Kjo lidhet ngushtë me vendimet e marra të Trumpit gjatë mandatit të parë, kur largoi njëanshëm Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe inicioi një luftë tregtare me Kinën, rivalin kryesor ekonomik të ShBA-së.
Ai, gjithashtu, e tërhoqi vendin nga disa marrëveshje ndërkombëtare që i konsideronte të pafavorshme për interesat amerikane dhe ushtroi presion mbi aleatët e NATO-s për të rritur buxhetet e mbrojtjes, kërkesë kjo të cilën shumica e aleatëve e përmbushën.
Në një nga marrëveshjet më të diskutuara, administrata Trump arriti një pakt me talibanët, duke vendosur kushte për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Afganistani deri në vitin 2021, çka nga kundërshtarët e Trumpit u pa si mundësi që u hapi rrugë talibanëve për ta rimarrë pushtetin.
Në anën tjetër, Trump akuzoi Bidenin dhe Harrisin për keqmenaxhim të situatës në raportet mes Rusisë dhe Ukrainës, gjë që, sipas tij, forcoi Rusinë në synimet e saj për të pushtuar Ukrainën.
Gjatë mandatit të parë, Trump u përpoq t’i ndryshonte marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë, duke kërkuar përmirësim të marrëdhënieve me presidentin Vladimir Putin, ndërsa njëkohësisht vendosi sanksione ndëshkuese ndaj Moskës.
Në këtë frymë, Trump ka deklaruar se marrëdhënia e tij me Putinin do të kontribuojë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.