Siç bëhet e ditur nga zyra për media e FSK-së, në këtë takim Jashari shprehu mirënjohjen homologes kanadeze për kontributin e tyre që nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë e deri sot.

“Ai gjithashtu e informoi atë mbi situatën në Kosovë dhe rajon, duke theksuar zhvillimet dhe arritjet e FSK-së. Pjesë e diskutimeve ishin edhe kontributi i FSK-së në trajnimin e grupeve ukrainase dhe objektivat strategjike për integrimin e Kosovës në NATO në të ardhmen”, bënë të ditur komunikata.

Tutje, aty tregohet se të dy shefat e mbrojtjes zhvilluan një diskutim të detajuar mbi fushat me interes të përbashkët për bashkëpunim bilateral.

Ata biseduan për finalizimin e bashkëpunimit reciprok në disa aspekte kryesore, duke përfshirë shkëmbimin e kadetëve, arsimin ushtarak, trajnimet specialistike, stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet kolektive.

“Gjeneral Jashari dhe Gjeneral Carignan theksuan se fitorja e Ukrainës në luftën e saj për liri kundër agresionit të Rusisë është një detyrë dhe përgjegjësi kolektive për të gjitha shtetet demokratike. Ata ranë dakord se kjo luftë ka një ndikim të pashmangshëm edhe në rajonin tonë, duke shtuar rëndësinë e unitetit dhe mbështetjes ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Një pikë e veçantë e diskutimit, sipas tyre ishte rëndësia e arritjes së marrëveshjes për shkëmbimin e kadetëve mes Qendrës për Studime Universitare të FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror “Saint-Jean” të Kanadasë.

“Ky shkëmbim u vlerësua si një hap i rëndësishëm për zhvillimin profesional dhe për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve” tregojnë nga FSK-ja derisa thonë se të dy gjeneralët u pajtuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe identifikimin e fushave konkrete për aktivitete bilaterale me interes të ndërsjellë.