Restaurimi i shtëpisë së kulturës “Xhemajli Berisha” dhe teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren ka përfunduar më 26 nëntor, kur edhe u bë përurimi solemn. Por edhe pas kaq ditësh, trupa e teatrit të Prizrenit ende nuk ka mundur ta shfrytëzojë atë, për shkak të disa problemeve në ngrohjen e skenës.
Lëvizja Vetëvendosje dega në Prizren, ka reaguar rreth funksionalizimit të Shtëpisë së Kulturës në këtë komunë. Sipas tyre, edhe pse është bërë përurimi i saj, ende nuk po shfrytëzohet nga Teatri i qytetit dhe OJQ-të e ndryshme të Prizrenit.
“Finalizimi i këtij projekti ka zgjatur më shumë se që duhet dhe si pasojë e kësaj vonese është ndikuar jashtëzakonisht shumë skena kulturore e qytetit. Ky investim në fillim ka qenë e planifikuar me 760 mijë euro, më pastaj me anekse dhe arsyetime të tjera totali I ka arritur deri në 1 milion euro. Mungesa e menaxhimit të kesaj kontrate dhe paaftësia e drejtorisë së kulturës rinisë dhe sportit shihet qartë që krahas vlerës së madhe të shpenzuar në këtë objekt, ende nuk ka nxemje dhe kjo po ndikon në operimin dhe aktivitetin e teatrit të qytetit dhe shumë OJQ ve të cilët kanë planifikuar të bëjnë aktivitete aty”, tha Dafina Alishani, këshilltare komunale e LVV-së.
Drejtori komunal i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Adem Morina, bën të ditur se ka disa probleme teknike me energjinë.
“Unë dua ta demantoj këtë lajm, sepse është bërë në mënyrë shumë të avancuar ngrohja në shtëpinë e kulturës, mirëpo për arsye të disa problemeve që kemi pasur me KEDS-in në funksionimin e siguresave. Nuk është funksionalizuar në tërësi ngrohja, përndryshe ngrohja është funksionale, mirëpo duhet pak kohë sa të fillojnë edhe me çështjen e përdorimit sepse është e avancuar ngrohja, e këto janë çështje teknike e jo që nuk ka ngrohje shtëpia e kulturës”, tha Adem Morina, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Prizren.
Drejtori i Teatrit Profesionist të Prizrenit, Burim Mustafa, e pohon se janë anuluar dy shfaqje teatrale për shkak se temperatura në skenë ka qenë e ulët.
“Njëra ka qenë më 27 nëntor, është shfaqje e jona “Ping Pong dhe Dashuri” dhe shfaqja tjetër është e cila ka qenë e planifikuar për sot më 6 dhjetor është shfaqje mysafire e Teatrit “Multimedia”, “Të gjashtët kundër Turqisë”. Pas pranimit të objektit kemi vërejtur se në sallë nuk ka ngrohje të mjaftueshme”, tha Burim Mustafa, drejtor i Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren.
Sipas Mustafës, tash e dy vite teatri “Bekim Fehmiu” ka punuar jashtë objektit.
“Po ne kemi vepruar tash e dy vite jashtë objektit, jemi gjendur disi, me padurim kemi pritur kthimin në objekt në dërrasat e teatrit, aty ku rrah zemra e çdo aktori, normal është pengesë për zhvillimin e programit por shpresojmë që të rregullohet sa më shpejt dhe t’u kthehen shfaqjet publikut”, shtoi Burim Mustafa.
Ndërkaq, drejtori Morina siguron publikun se në javën e ardhshme gjithçka do të zgjidhet. Shfaqja e ardhshme në këtë skenë është paraparë më 16 dhjetor të këtij viti.