rtsh.al
Ndërsa na ndajnë edhe pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare, ku për herë të parë edhe diaspora do të ketë mundësinë të japë votën e saj, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka konsideruar votimin e shqiptarëve jashtë vendit, si një proces sfidues edhe kompleks.
“Sot jemi në prag të një procesi zgjedhor kur për herë të parë në historinë demokratike të Shqipërisë, shqiptarët jashtë vendit mund të ushtrojnë të drejtën e votës pa pasur detyrimin në udhëtojnë drejt Shqipërisë, por thjesht duke përdorur postën nga aty ku banojnë., Është sfidë më vete. Kryetari i KQZ do jetë i pranishëm më tutje për të dhënë këndvështrimin teknik mbi vështirësitë e këtij procesi dhe nevojën e mobilizimit të të gjithëve për të ushtruar këtë të drejtë. Proces që herën e parë është kompleks për të realizuar votimin si votues në Diasporë dhe më pas bëhet i thjeshtë që nga momentin që personat janë të regjistruar. Ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturore, pjesë emisionit tonë si komb, si qytetar dhe si sistem institucional”, deklaroi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Këshillin Koordinues të Diasporës.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se diaspora është një mbështetje tejet e rëndësishme dhe në aspektin financiar për vendin. Ai bëri me dije se gjatë këtij viti, Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje prej afro 100 milionë eurosh krahasuar me 2023-shit si rezultat i dërgesave të emigrantëve, kryesisht nga Italia, Greqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ritheksoj se diaspora mbetet një mbështetje e rëndësishme edhe në aspektin e drejtpërdrejtë financiar për vendin. Këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të dërgesave të emigrantëve me euro, krahasuar me një vit më parë, janë afro 100 milionë euro plus nga një vit më parë, ku dërgesat më të mëdha janë nga Italia, Greqia dhe SHBA. Kjo i bashkohet prurjes domethënëse të ardhurave të rritjes sonë ekonomike që është rezultat patjetër I një sërë reformash të rëndësishme, por unë besoj se është mbi të gjitha rezultat i pozicionimit politik të Shqipërisë. Jam krenar që kemi arritur t’u mundësojmë shqiptarëve, nga ata që jetojnë jashtë vendit atë që kishin të pamundur, shqiptimin e emrit shqiptar”, u shpreh Rama.
Ky i fundit shtoi se sot ndodhemi në kushtet kur funksionon strategjia kombëtare e diasporës.
“Ne ndërtuam një proces, strategji, dhe sot jemi në kushtet kur funksionojmë një strategji kombëtare të Diasporës. Jemi në kushtet kur kemi koordinator shtetëror për Diasporën që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Jemi në kushtet kur kemi një organizim që merr pamjen e vetë më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet përmes një këshilli kombëtar dhe sikurse e tregon përbërja e anëtarëve të këtij këshilli, përfaqësohet përmes një mozaiku që mbulon edhe nga pikëpamja territorial nevojën për të pasur në këtë organ të lartë, zërin e komuniteteve të ndryshme, sipas shpërndarjes gjeografike të diasporës”, përfundoi kryeministri.