Artikuj të ndryshëm të punimeve të dorës janë prezantuar në edicionin e parë të quajtur “Panairi Dimëror i Zejtarisë” që organizohet nga Oda e Ndërmarrësisë dhe Zejtarisë në Prizren. Ligji për Zejtarinë është i domosdoshëm për ruajtjen e vlerave tradicionale të trashëguara ndër breza, thotë Afrim Tejeci.
Prizrenasja Zoja Gojçaj merr pjesë për herë të parë në një panair të zejeve tradicionale të Prizrenit. Ajo filloi të punojë me shumicë në kohën e pandemisë, ndërsa këtë pasion e ka të trashëguar.
“Këto punime të dorës janë tradicionale, janë të vjetra, gjithmonë janë marrë, por me stile të ndryshe. Tani ç’do gjeneratë e ka stilin e vet dhe gjithmonë ka risi në punëdore, vjen një kohë që gjithçka bahet përdoret, ne i kemi vesh fëmijët me punëdore, veten po ashtu, janë bajt përpara ato jelekët e bukura e shumë sene të tjera si shputa çorape, krejt i kemi bajt e jemi kënaq edhe të shëndetshëm kemi qenë”, tha Zoja Gojçaj, artizane e Prizrenit
Edhe Emirjhana Nikaj nga Kukësi, solli në këtë panair, punime nga shajaku, me elemente festash.
“Kemi sjellë këto punëdoret me shajak grupi Artizanati Kukës, këto gjërat e festës për fundvit, gjëra të vogla me shajak, kemi ardhur, kemi dal të kënaqur, ka pas edhe shitje këtu se ka edhe turistë, atje nuk ka edhe jemi detyruar me lëviz”, theksoi ajo.
Nga Posta e Kosovës u prezantuan shërbimet dhe pullat postare me motive nga Prizrenit
“Filaterinë e kemi prezantuar me motivet e Prizrenit, shumica e tyre është me motive të Prizrenit. Me shërbime postare universale. Bizneseve kemi me ju ofruar shërbimin online”, tha Liri Ramadani nga Posta e Kosovës.
Panairi është organizuar nga Oda e Zejtarisë dhe Tregtisë së Prizrenit.
“Për fat të keq deri më tani zejtaria është lënë anash, këtë e tregon vetë fakti që nga 2004 asnjë ndryshim të ligjeve nuk kemi, besojmë që do të miratohet edhe ligji për zejtarinë, i cili favorizon ndërmarrësin zejtar dhe mënyra e kualifikimit të zejtarëve të njihet edhe ndërkombëtarisht edhe në evente të tjera puna e tyre artistike”, tha Afrim Tejeci, kryetar i Odës së zejtarëve të Prizrenit
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se po punojnë në ligjin e ri të artizanatëve.
“Me ligj do të rregullohet dhënia e titullit Artizan, certifikimi i produkteve artizanate, emërtimi i industrive artizanate, nxitja e veprimtarive dhe integrimi i subjekteve deh mjedisit mbështetës në zbatimin e masave për mbështetjen financiare dhe masave të tjera”, theksoi ajo.
Në panair janë regjistruar rreth 100 pjesëmarrës, por në mungesë të hapësirave punën e tyre e kanë prezantuar 45 prej tyre. Panairi do të jetë i hapur tri ditë.