Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ia ka dorëzuar programin e koalicionit kryetarit të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuku, shtypur në alfabetin Braille.
Ai në një konferencë për medie tha se po dorëzojnë në mënyrë simbolike programin e alencës për personat me aftësi të kufizuar.
Tutje Haradinaj premtoi mbështetje dhe përkrahje institucionale nëse bëhet kryeministër i vendit.
“Në kohën e qeverisjes sime jemi kemi arritur të bëjmë një koncept dokument për personat me aftësi të kufizuar e që për fat të keq Ligji për Persona me Aftësi të Kufizuara ka mbetur në pritje dhe se sot statusi i personave me aftësi të kufizuara nuk është i mirë”, tha ai.
Kurse kryetari i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuku, kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që t’i obligojë partitë politike për një gjë të tillë.
“Kemi propozuar me bo obligative, kur bëhen fushatat zgjedhore dhe parazgjedhore të çdo partie politike, programi të jetë me shkrimin braille”, shtoi ai.
Tishuku tha se ky program u bë i qasshëm, u mundëson të verbërve të kenë mundësi të lexojnë dhe ta përdorin të drejtën qytetare për të votuar të lirë pa i ndihmuar askush.
Sipas tij, kjo ua ka dhënë mundësinë të analizojnë, gjykojnë dhe votojnë kur të mbahen zgjedhjet.
Ai tha se presim që edhe partitë tjera të krijojnë qasje dhe ta hartojnë edhe ata një dokument të tillë dhe ta marrin modelin e Aleances dhe programin e tyre ta bëjnë të qasshëm për personat e verbër.