Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, edhe këto muajt e fundit të mandatit të tij, dhe në betejë politike e elektorale për ti fituar zgjedhjet e reja, për ta vazhduar qeverisjen për 4 vite të tjera, i ka dërguar sinjale serioze faktorit ndërkombëtar, duke bërë të ditur se në dialog me Serbinë, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të hiqet nga rendi i ditës, dhe në top prioritet dhe qendër të diplomacisë ndërkombëtare të jetë presioni ndaj Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës, dhe vetëm pastaj të hapen temat tjera, që kanë të bëjnë edhe me avancimin dhe zhvillimin e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë.
Analistët politik, këtë qasje të kryeministrin e kanë vlerësuar serioze, të drejtë dhe të guximshme, sepse bëhet fjalë për mbrojtje me çdo kusht dhe pa asnjë kompromis të sovranitetit dhe integritetit të shtetit të Kosovës.
Gani Qarri: Asnjë presje përtej marrëveshjes Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023
Analisti politik Gani Qarri, ka deklaruar për “Kosova Times” Kosova e ka bërë kompromisin maksimal me marrëveshjen e Brukselit në vitin 2023, prandaj nuk duhet të tejkalohen vijat e kuqe të vendosura nga kjo marrëveshje.
“Siç dihet marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023, e kanë pranuar Kosova dhe Serbia, ndaj dhe ajo duhet zbatuar në tërësi nga të dy vendet, ashtu siç edhe është dakorduar nga të dy palët, pa kushte dhe pa vonesa. Por pengesë për zbatimin e saj, vazhdon të paraqes edhe sot, refuzimi i marrëveshjes së dakorduar nga ana e Serbisë, me letrën e ish kryeministres serbe Ana Bërnabiq dërguar në dhjetor të vitit 2023, Bashkimit Evropian, se Serbia nuk njeh integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe nuk do të lejojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare as në OKB, gjë që bie ndesh drejtpërsëdrejti me marrëveshjen e dakorduar me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel’, thotë analisti Qarri për “Kosova Times”.
Qarri beson se bazuar në atë që është arritur në Bruksel dhe Ohër, kryeministri i Kosovës, ka plotësisht të drejtë kur në një intervistë për Kosova Press, deklaroi publikisht se nuk pranon që pikërisht “asociacioni”, tani të vendoset në qendër të raporteve Kosovë – Serbi, madje as që mund të flitet për “asociacionin” e komunave me shumicë serbe, nëse kërkohet “braktisur njohjen reciproke” Kosovë-Serbi!.
“Vet kjo përgjigje dëshmon më së miri se kryeministri i Kosovës është duke dërguar paraprakisht mesazhe të qarta drejt faktorit evropian dhe atij ndërkombëtar se me Qeverinë Kurti, edhe pas zgjedhjeve të reja nuk do të ketë kompromis, që shkon kundër integritetit territorial të vendit tonë, statusit, pavarësisë dhe vazhdimësisë së shtetit të Kosovës! Kryeministri Albin Kurti deklaron publikisht se njohja reciproke duhet të jetë në qendër të dialogut dhe të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, përndryshe, nuk mund të flitet për “asociacionin” e komunave me shumicë serbe, nëse kërkohet “braktisur njohjen reciproke Kosovë-Serbi”, thotë analisti Qarri.
Po ashtu Qarri thotë se me të drejtë ka deklaruar Kryeministri Kurti se edhe dokumenti [draft-statuti i Asociacionit], ka qenë i propozuar nga ndërmjetësit, por ai nuk është panënshkruar nga ata dhe askush tjetër, prandaj një dokument i tillë (anonim), nuk ka mundur të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra, siç dihet, Kosova dhe Serbia, më 27 shkurt të vitit 2023 kanë arritur dakordim për marrëveshjen e Brukselit, dhe më 18 marsit 2023 edhe dakordimin për Aneksin e Ohrit, andaj të dy shtetet dhe vet BE, sipas Qarrit, duhet të përqendrohen te marrëveshja bazike ku neni 7 i saj, flet për vetë menaxhimin e komunitetit serb, pra le të adresohet aty, ku edhe neni 10, flet për të gjitha marrëveshjet të cilat janë realizuar në të kaluarën që janë ligjërisht të obligueshme.
Ai po ashtu konsideron se Kryeministri me të drejtë ka deklaruar se derisa në qendër të marrëveshjes bazike është njohja reciproke defacto, ai nuk e mohon që pararendësit e tij, më 2013 dhe 2015 e kanë nënshkruar dy herë “asociacionin”, por nuk mund të pranoj që në qendër të raporteve Kosovë-Serbi, tani të vendoset “asociacioni”, dhe të injorohet kushtëzimi me njohje.
“Kjo edhe për faktin e ditur publikisht, se marrëveshjen të cilën vet e ka pranuar Serbia, ajo e ka shkelur me të dy këmbët dhe megjithatë Brukseli zyrtar nuk ka reaguar, prandaj këtu ka ndodhur dështimi, për çfarë, përgjegjësinë nuk e mbanë Kosova, pasi që shkelja e marrëveshjes nga Serbia, është toleruar nga ana e Brukselit. Duke qenë se për fat të keq, destruktiviteti i Serbisë, vetëm sa ka ardhur duke u rritur, nga ndërmjetësit e ri, veçanërisht nga përfaqësuesja e re e lartë e BE-së, Kaja Kallas me iniciativën e saj për rrugën përpara, Kosova pret dhe kërkon që BE dhe SHBA ta ndërpresin këtë destruktivitet të Serbisë”, thotë analisti Qarri.
Dhe sipas Qarrit, përderisa tanimë ka ndodhur edhe deeskalimi i plotë i gjendjes dhe është rivendosur rendi e qetësia, si në të gjithë pjesën tjetër të vendit, edhe në veri të Kosovës, ku me gjithë hedhjen e ndonjë granate dore në stacion të policisë apo në ndërtesë të komunës, nga grupe kriminale dhe mbetje terroriste serbe, si dhe dëmtimi i kanalit të Ibër-Lepenc-it, përpjekjet e terroristëve serb, për rieskalim të situatës, kanë dështuar, para nisjes së çfarëdo dialogu me Serbinë, BE duhet ti heq sanksionet e padrejta dhe të një anshme të vendosura padrejtësisht ndaj Republikës së Kosovës.
“Sanksionet kundër vendit tonë duhet të hiqen edhe për faktin se edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri dhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell qysh në raportin e 3 qershorit të vitit 2023, që u dërgoi 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kërkoi heqjen e masave kundër Kosovës, të cilat megjithëse janë vendosur padrejtësisht, nga mosheqja e tyre fatkeqësisht ende po pëson Kosova. E kur flasim për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, sipas kryeministrit Kurti marrëveshja bazike, në preambulë i ka 11 nene e 6 fjali, si dhe aneksin e zbatimit me 12 pika, andaj kurdo që t’i rikthehemi marrëveshjes, pikësëpari Serbia duhet ta tërheqë letrën e zonjës Bërnabiq, ku thuhet se Serbia nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës dhe duhet theksuar qartë, se Serbia nuk guxon ta shkelë më marrëveshjen”, thotë analisti Qarri për “Kosova Times”.
Ndërsa, si akt i sigurisë juridike dhe garanci për zbatim të marrëveshjes së arritur, sipas Qarrit, duhet t’i vendosnin nënshkrimet edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi që Serbia, serish nuk pritet të tregojë konstruktivitet dhe përveç nënshkrimit të marrëveshjes bazike, duhet të dorëzohet edhe kryeterroristi serb Milan Radoiçiq, i cili me grupin e tij terrorist me 24 shtator të vitit 2023, kanë vra në detyrë, rreshterin e Policisë Afrim Bunjaku, hero i Kosovës dhe kryer agresion të hapur territorial kundër Republikës së Kosovës, akt për të ciluin ai duhet të marrë dënimin e merituar dhe duhet sanksionuar Serbia, në mënyrë që akte të tilla, të mos guxojnë të përsëriten në të ardhmen.
Arsim Aziri: Asnjëherë dhe nga askush nuk duhet të ketë kompromis me Serbinë në dëm të Republikës së Kosovës
Analisti tjetër Arsim Aziri, vlerëson se Kryeministri Albin Kurti vazhdimisht ka përcjellë mesazhe të qarta ndaj faktorit ndërkombëtar lidhur me qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë dhe shtetit të Kosovës.
“Ai ka theksuar se njohja reciproke mbetet thelbi i çdo marrëveshjeje dhe nuk do të pranojë kushte që e anashkalojnë këtë qëllim. Përmes këtyre qëndrimeve, Kurti jo vetëm që adreson Serbinë, por gjithashtu nënvizon vendosmërinë e shtetit për të mbrojtur interesat shtetërore të Kosovës në arenën e gjerë ndërkombëtare”, thotë Aziri për “Kosova Times”.
Sipas Azirit, qasja e kryeministrit Kurti për të mos vendosur Asociacionin e komunave me shumicë serbe në qendër të dialogut, pa u kushtëzuar me njohje reciproke, është një deklaratë e fuqishme për komunitetin ndërkombëtar se qeveria aktuale nuk bën kompromis assesi me sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Në kontekstin e moszbatimit të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit nga Serbia, Kurti kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv, por me kushte të qarta e mirë organizuara që garantojnë barazi dhe njohje reciproke si parim bazë. Për faktorin ndërkombëtar, kjo qasje paraqet një narrativë që tregon se Kosova nuk është pengesa në procesin e dialogut, por insiston në respektimin e vlerave dhe standardeve ndërkombëtare. Mesazhet e Kurtit duket se përforcojnë idenë se zgjedhjet e reja, apo ndryshimet politike, nuk do të ndryshojnë kursin e Kosovës në këtë drejtim. Shteti i Kosovës mbetet i palëkundur në ndërtimin e një pozicioni që siguron njohjen e tij ndërkombëtare dhe mbrojtjen e interesave kombëtare”, thotë Analisti Aziri.
Në vazhdimësi, sipas Azirit, kjo qeveri ka bërë thirrje që dialogu të përqendrohet në marrëveshje bazike që garantojnë njohjen reciproke.
“Përmes deklaratave të tij, ai ka sinjalizuar që Kosova është e gatshme për dialog dhe bashkëpunim, por jo për kompromise që vendosin interesa të njëanshme të Serbisë mbi ato të Kosovës. Këto mesazhe synojnë të qartësojnë faktorin ndërkombëtar se qeveria e Kosovës mbetet në linjë të palëkundur për të ruajtur themelet e shtetësisë”, thotë Arsim Aziri.
Ai pohon se Kurti ka kundërshtuar idenë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të jetë pika qendrore e dialogut, duke theksuar se një gjë e tillë do të injoronte njohjen reciproke dhe do të krijonte një precedent të rrezikshëm për funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ai ka theksuar se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë duhet të kuptojnë se çdo marrëveshje që e cenon Kushtetutën e Kosovës është e papranueshme për të ardhmen e vendit tonë.
“Kryeministri Kurti ka pranuar që marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin janë nënshkruar nga qeveritë paraprake, por ai këmbëngul se ato nuk mund të kenë përparësi ndaj njohjes reciproke. Në këtë drejtim, ai ka kërkuar që çështjet e vetëmenaxhimit të komunitetit serb të adresohen në përputhje me nenin 7 të marrëveshjes bazike të Ohrit, por pa e ngritur Asociacionin në një strukturë me kompetenca ekzekutive që do të cenonte sovranitetin tonë kushtetues”, thotë Arsim Aziri për “Kosova Times”.