Në prag të përvjetorit të 26-të të Masakrës së Reçakut, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Yllka Fejzullahu, morën pjesë në në orën e parë mësimore, në Gjimnazin “Naim Frashëri”, kushtuar 15 janarit, Masakrës së Reçakut.
“Në orën e parë të mësimit, së bashku me Bacën Isak Asllani, një nga figurat më simbolike të qëndresës dhe sakrificës së popullit tonë dhe së bashku me nxënësit dhe mësimdhënësit, diskutuam për rëndësinë e kujtesës historike dhe për angazhimin që brezat e rinj duhet të kenë në ruajtjen e së vërtetës. U përpoqëm t’i bëjmë të rinjtë të kuptojnë se liria që ne gëzojmë sot nuk është e rastësishme; ajo është fituar me mund, gjak dhe sakrificë të jashtëzakonshme. Kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve është jo vetëm një detyrë kombëtare, por edhe një udhërrëfyes për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të denjë për sakrificën e tyre”, tha ai.
Sipas tij Masakra e Reçakut është një plagë që nuk shërohet, por edhe një thirrje për drejtësi.
“Në ato ditë të errëta të janarit, 45 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht, duke lënë pas dhimbje dhe tronditje që nuk mund të përshkruhen me fjalë. Kjo ngjarje është dëshmi e krimeve monstruoze që iu bënë popullit tonë, dhe është detyra jonë e përbashkët të sigurohemi që këto krime të mos harrohen kurrë. Nxënësve u kujtuam se kujtesa historike nuk është vetëm përkujtim, por edhe një mësim për të ardhmen. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm se liria dhe pavarësia nuk janë dhurata, por arritje të mëdha që kërkojnë kujdes, përgjegjësi dhe unitet të përhershëm. Këto janë vlera që ne duhet t’ua trashëgojmë brezave të rinj, si një barrë e rëndë, por e shenjtë”, tha kryetari Aliu, duke kujtuar që vet prania e Bacës Isak, një dëshmitar i kohërave më të vështira për popullin tonë, është një kujtesë e gjallë e asaj që kemi kaluar dhe e forcës së jashtëzakonshme që na ka mbajtur të palëkundur përballë padrejtësive historike.
“Lavdi e përjetshme për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës! Kujtimi i tyre do të jetojë përherë në zemrat tona. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë, dhe drejtësia për ata që humbën jetën është një kërkesë e pandalshme e popullit tonë”, tha kryetari Aliu.
Ky aktivitet përkujtimor, është organizuar në të gjitha shkollat e Kosovës, për të kujtuar ngjarjen më tragjike dhe të dhimbshme të historisë sonë kombëtare – Masakrën e Reçakut, që ndodhi më 15 janar 1999.