Presidentja Vjosa Osmani në Akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut ka thënë se në Reçak, 26 vjet më parë u ndeshën njerëzorja dhe mizorja.
“Në një ditë të zymtë të janarit 99-të 45 banorë të Reçakut ndër të cilët burra, gra e të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet vetëm më këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë”, ka thënë Osmani
Sipas saj, pamjet e asaj masakre tronditën botën dhe prekën ndërgjegjen ndërkombëtare e mobilizuan diplomacinë, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker i cili me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë.
“Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij. Mizoritë e paimagjinueshme të cilat regjimi gjenocidal serb i kreu mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare këtu në Reçak dhe ku do në Kosovë. Sot ambasadori Walker i cili është në mesin tonë mbetet një simbol i ndërgjegjes njerëzore dhe i drejtësisë ndërkombëtare, ndaj edhe kisha nderin që në tetor të viti të kaluar ta dekoroja atë me medaljen presidenciale të lirisë në emër të popullit të Republikës së sonë. Fjalët e thëna me vendosmërinë nga ambasadori Walker, tronditën opinion publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm”, ka theksuar presidentja.
Sipas saj, kjo hapi edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s e cila bashkë me luftën çlirimtare të bijve dhe bijave të Kosovës, vajzave dhe djemve të ushtrisë sonë çlirimtare e bënë Kosovën të lirë.
Kurti kërkon dënimin e vrasësve
Nբ këtë akademi, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka theksuar se varret janë në tokë, vrragët në trup e në shpirt, kurse vrasësit ende në liri në Serbi. Sipas tij , ‘krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin, nuk është dashur të ndodhin, ajo që duhet të ndodhë për pasojë është drejtësia, gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve qoftë edhe në mungesë’.
“Jemi në Reçak për të nderuar kujtimin për 45 civilët e pafajshëm e të pa armatosur të vrarë si dhe për të ripërtërirë zotimin tonë për të mos harruar kurrë masakrën e 15 janarit 1999”, ka thënë Kurti.
Kurti ka deklaruar se ambasadorit Wiliam Walker i jemi përjetësisht mirënjohës për humanizmin dhe kontributin e tij gjatë kohës më të vështirë për popullin tonë.
Nis Akademia përkujtimore për Masakrën e Reçakut
Në Shtime ka nisur Akademia përkujtimore për të kujtuar viktimat e maskarës së Reçakut. Në këtë akademi po marrin pjesë edhe krerët e shtetit.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.