Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me iniciale M.D. nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it në protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në Zveçan.
Sipas njoftimit, M.D. akuzohet për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale dhe huliganizëm”.
“Pas sigurimit dhe analizimit të provave personale dhe materiale, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri M.D, më 29.05.2023, afër objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëveprim dhe koordinim edhe me të pandehurit të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, përmes përdorimit të dhunës, armëve dhe mjeteve tjera të forta, i kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, prokurori nga Prokuroria Speciale ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas ligjit, si dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të këtij rasti penal.
Ndryshe, dhuna në Zveçan pati shpërthyer pasi serbë lokalë kundërshtuan me protestë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në komunat në veri të Kosovës, pasi serbët lokal kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me direktiva nga Beogradi zyrtar.