Gjykata Themelore në Ferizaj, ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit L.F..,për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale `vrasja e rëndë` nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata njofton se ekziston dyshimi i bazuar, se më datë 23 janar 2025 në orët e pasdites, në malet e një fshati të Komunës së Ferizajt, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta viktimën B.V., në atë mënyrë që të njëjtit së bashku më datë 22 janar 2025, fillimisht shkojnë në një villë, ku aty qëndrojnë së bashku.
“Të nesërmen të dy në këmbë nisen për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, ashtu që për shkaqe të panjohura deri më tani të njëjtit devijojnë rrugën dhe vazhdojnë për malet e një fshatit të Komunës së Ferizajt dhe me të arritur afër fshatit i pandehuri për motive ende të panjohura fillimisht e godet me sëpatë në kokë nga mbrapa, pastaj e godet edhe disa herë në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dhimbje, derisa të njëjtin e privon nga jeta, pastaj viktimën e gropos në një vend në mal duke e mbuluar me dhe e drunj kufomën me qëllim të fshehjes dhe zhdukjes së gjurmëve dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se më datë 5 shkurt 2025 nga disa persona të fshatit gjendet trupi i pajetë i viktimës si dhe në afërsi të kufomës janë gjetur edhe rrobat e tij të djegura.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet tutje në njoftimin e gjykatës.