Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa u ka bërë thirrje qytetarëve që nesër (9 shkurt), të dalin e ta votojnë këtë parti.
Ai thotë se shihet qartë fitorja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e dëshmi sipas tij është mbështetja e madhe e qytetarëve anë e kënd Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Sot, një ditë para zgjedhjeve, ju drejtohem me entuziazëm të madh e përplot emocion. Nesër është dita e zgjedhjeve. Nesër është dita kur Kosova më në fund do të marr ndryshimin. Kur shihni se çfarë po ndodh javën e fundit në çdo tubim që kemi mbajtur, veçanërisht mbrëmë në tubimin në Podujevë ku nuk shihej fundi i mbështetësve tanë, ju e kuptoni shumë thjeshtë se ndryshimi po vjen.”
“LDK është kudo, LDK është e juaja, LDK ka lindur nga populli i Kosovës dhe është kokë e këmbë e popullit”, tha Mustafa.
“Sonte e kemi takimin tonë përmbyllës në orën 18:00, pikërisht këtu në Prishtinë, në sheshin më të madh të Republikës, në sheshin “Skënderbeu” ku nga lart na sheh lideri jonë shpirtëror, ati themeltar i Republikës, presidenti historik, Ibrahim Rugova”.
“Ju ftoj të gjithëve të vini sonte në këtë tubim. Mund edhe të jetë ftohtë jashtë, por do të jetë ngrohtë në zemrat tona. Ejani dhe bashkohuni me ne. Edhe nëse nuk jeni ende të sigurt se kë doni ta votoni. Ejani dhe shiheni e dëgjoni LDK-në në krye me Lumirin”.
Mustafa shprehet se kur fiton LDK, fiton e gjithë Kosova, duke bërë thirrje edhe njëherë që të votohet kandidati për kryeministër i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.
“Tani është dita e ndryshimit, tani është dita e themelueseve të Republikës, tani është dita e fitimtarëve, tani ne do të jemi fitimtarët, dhe kur fitojmë ne, fiton Kosova. Prandaj për herë të fundit në këto zgjedhje, ju ftoj me gjithë shpirt e zemër, votoni LDK-në, votoni Lumirin, votoni 124. Fitore dhe asgjë më pak”.