Kohët e fundit në qendër të Prishtinës dhe në disa lagje përreth shihen më pak qenë endacakë, por ka lagje që ende po kanë probleme. Largimi i qenve nga rrugët ka filluar më 11 shtator të vitit të kaluar por tani me një hov më të madh. Të gjithë qentë dërgohen në Qendrën e Trajtimit të Qenve Endacakë, projekt i cili ka kushtuar rreth 700 mijë euro.
Fokusi kryesor për largimin e qenve endacakë ka filluar nga qendra e qytetit, si dhe në lagjet Dardania, Ulpiana, Lakërishtë e më gjerë. Deri më tani janë larguar 756 qenë.
“Tani për tani jemi të fokusuar në zonën 1 të kryeqytetit, të cilën e kemi trajtuar si zona qendër, do të thotë sheshi, kampusi universitar, hapësira përreth qendrës së qytetit, lagjet përreth qendrës siç është lagja Dardania, Ulpiana, Lakrishte, Pejtoni. Këto janë lagjet të cilat për momentin kemi punuar dhe nga këtu janë larguar këta 756 qenë”, tha Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës.
“Praktikisht është një plan me zona. Është një plan të cilin e ka hartuar Komuna e Prishtinës dhe vazhdimisht ne e ndjekim planin duke u larguar nga qendra dhe duke shkuar nga lagjet periferike”, tha Kreshnik Vejsa, veterinar udhëheqës i QTQE
Kapja e qenve bëhet herët në mëngjes, pikërisht prej orës 4 të mëngjesit dhe dërgohen për trajtim dhe ekzaminim mjekësor në Qendrën e Trajtimit të Qenve Endacakë. Ata mbahen përkohësisht deri në adoptim në bujtinat që janë dedikuar për ta.
“Materiali dhe mjetet medicinale janë shumë të mira. Faktikisht aparatura të cilën ne e posedojmë për kryerjen e ndërhyrjeve kirurgjike, ndërhyrjet dhe ekzaminimin e tyre të analizave laboratorike janë pajisje të fjalës së fundit”, shtoi Vejsa, Veterinar udhëheqës i QTQE
Sa i përket numrit të madh të qenve në hapësirat e QKUK-së, shkaktari kryesor është ushqimi i pakontrolluar që gjejnë qentë aty.
“Në QKUK kemi ndërhy dhe kemi marr masa shumë herë, kemi larguar një numër shumë të madh të tyre, mirëpo sa i përket QKUK-së është një vend OAZË e qenve endacakë, pasi që kanë mundësi që të ushqehen në mënyrë të pakontrolluar.
Janë ekipe të specializuara që punojnë për kapjen e qenve, të cilat do të punojnë pandërprerë deri në largimin e tërësishëm të qenve nga qyteti.
Qentë e trajtuar adoptohen nga qytetarët të cilët paguhen nga 50 euro në muaj.