Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), sot nëpërmjet konferencës për media ka publikuar raportin e planifikimit të prokurimit të komunave për vitin 2022. Raporti është rezultat i monitorimit të procesit të planifikimit të prokurimit në njëzetë (20) komuna.
Konferenca u hap nga z. Diell Haxhimusa, Hulumtues në INPO, z. Haxhimusa pasi shpjegoi metodologjinë e hulumtimit potencoi se planifikimi i prokurimit është një proces shumë i rëndësishëm për secilin Autoritet Kontraktues (tutje AK), për pasojë ky proces është i rregulluar me ligj dhe akte tjera nënligjore. Si hapi i parë në prokurimin publik, planifikimi është determinues edhe i fazave tjera të prokurimit, sepse një planifikim i mirë ndikon në suksesin e AK-së për vitin përkatës, dhe e kundërta, një planifikim i dobët sjellë pasoja të paparashikueshme dhe të dëmshme për AK-në.
Haxhimusa vazhdoi duke potencuar se për këtë hulumtim janë monitoruar saktësisht treqind (300) aktivitete të prokurimit në njëzet (20) komunat e fokusit, përveç komunës së Klinës, komunat tjera nuk i paraqesin të gjitha detajet e kërkuara sipas ligjit, madje as ato formale në planin përfundimtar të prokurimit. INPO ka gjetur se përveç dështimit në planifikim formal të prokurimit, AK-të nuk respektojnë apo nuk i përmbahen planifikimeve të tyre, sidomos tek lëndët e furnizimeve. Kësisoj, nga njëqind (100) aktivitetet e monitoruara për furnizim, vetëm gjashtëdhjetë e gjashtë (66) prej tyre figurojnë në planin e prokurimit, pjesa tjetër janë iniciuar pa qenë fare të planifikuara. Pastaj, nga nëntëdhjetë e gjashtë (96) aktivitetet e monitoruara për shërbime, vetëm shtatëdhjetë e një (71) prej tyre figurojnë në planin përfundimtar të prokurimit. Situatë pothuajse e njëjtë është edhe tek aktivitetet për punë, ku nga njëqind (100) aktivitetet e monitoruara për punë, vetëm tetëdhjetë e dy (82) aktivitete janë iniciuar sipas planit të prokurimit, pjesa tjetër nuk figurojnë fare në plan.
Monitoruesja e INPO-s, znj. Leorenta Alija theksoi se komunat kundërligjshëm dhe pa ndonjë vendim apo udhëzim nga organet kompetente janë duke ndryshuar planet përfundimtare të prokurimit. Tutje, INPO ka zhvilluar një anketë më zyrtarët përgjegjës të prokurimit dhe njësitë kërkuese në komunat e fokusit, e cila ka pasur për qëllim matjen e qëndrimeve të AK-vë rreth rolit, rëndësisë dhe përgjegjësisë së zyrtarëve në planifikimin e prokurimit, rezultatet e së cilës janë shqetësuese. Rezultatet e anketës kanë treguar se njësitë kërkuese nuk e kanë të qartë se kujt i takon përgjegjësia për planifikimin e prokurimit, 43.8% e tyre mendojnë se kjo përgjegjësi është e përbashkët në mes të ZPP-ve dhe njësive kërkuese, po aq mendojnë se kjo përgjegjësi i takon vetëm njësive kërkuese. Pastaj, 12.5% e njësive kërkuese potencojnë se nuk kanë kapacitete për të planifikuar artikujt, sasitë dhe njësitë në planin përfundimtar të prokurimit, ndërsa 12.5% e tyre mendojnë se nuk është e nevojshme paraqitja e artikujve, sasive dhe njësive tek aktivitetet e prokurimit.
Duke marrë parasysh ngritjen e çmimeve të tregut, vetëm 31.3% e njësive kërkuese në kuadër të komunave të monitoruara mendojnë se AK-ja e tyre do ta implementoj planin e prokurimit, ndërsa 56% e ZPP-ve të komunave vlerësojnë se plani përfundimtar i prokurimit i përmbush pjesërisht nevojat e komunës të cilës i përkasin. Përkundër kësaj vetëm 17% e ZPP-ve potencojnë se kanë marrë masa në kuadër të planifikimit të prokurimit me qëllimin që planifikimet të jenë konformë rritjes së çmimeve të tregut.
Znj. Alija potencoi se hulumtimi përfshin edhe kontratat për punë shtesë, ndërsa lidhur me këtë çështje rezulton se gjatë vitit 2021, njëzet (20) komunat e monitoruar kanë nënshkruar njëqind e nëntëdhjetë e një (191) kontrata për punë shtesë lidhur me aktivitetet për punë, ndërsa vlera e punëve shtesë është 4,541,689.99 euro. Madje, në komunën e Kamenicës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës së Veriut, numri i kontratave për punë shtesë e tejkalon mbi 50% numrin e kontratave të planifikuara për punë gjatë vitit 2021. Në pyetjen e INPO-s se a janë duke e keqpërdorur AK-të mundësinë ligjore për lidhjen e kontratave për punë shtesë, vetëm 5.6% e ZPP-ve vlerësojnë se AK-të e keqpërdorin mundësinë për punë shtesë, ndërsa 11.1% të ZPP-ve theksojnë se kjo mundësi ligjore keqpërdoret ndonjëherë.
Monitoruesi i INPO-s, z. Valmir Ilazi theksoi se bazuar në gjetjet e këtij raporti, planifikimi i prokurimit vazhdon të mbetet një ndër fazat me dobësi sistematike dhe mungesë të llogaridhënies institucionale dhe individuale të zyrtarëve të përfshirë.
Ilazi rekomandon që të gjitha AK-të në përgjithësi dhe komunat e fokusit në veçanti, t’i kushtojnë vëmendje të veçantë fazës së planifikimit të prokurimit, duke mos u kufizuar në respektimin e kërkesave ligjore, respektivisht në detajet e kërkuara nga Formulari B01, të hulumtojnë tregun dhe të krijojnë mekanizma të mirëfilltë të monitorimit të zbatimit të planit të prokurimit, në mënyrë që të mos devijohet në fazën e inicimit të aktivitetit të prokurimit dhe të minimizohet nevoja për lidhjen e kontratave për punë shtesë.
KRPP dhe Instituti i Kosovës për Administratë Publike së bashku me komunat, të organizojë trajnime të vazhdueshme për zyrtarët e përfshirë në ciklin e planifikimit të prokurimit, përmes së cilave ngritën kapacitetet profesionale të zyrtarëve, në mënyrë që të ngritët edhe vetëdija e njësive kërkuese dhe ZPP-të që planifikimin e prokurimit të mos e shohin si përgjegjësi të ndarë, por si bashkëpunim të domosdoshëm dhe atë jo vetëm gjatë fazës së planifikimit por edhe gjatë fazës së zbatimit të planit të prokurimit.
Ilazi përfundoi duke rekomanduar se komunat duhet të sigurohen se nënshkruajnë kontrata për punë shtesë vetëm lidhur me arsyet e parapara me ligj, në rastet tjera konsiderohet keqpërdorim i mundësisë ligjore për punë shtesë. Raportin e gjeni duke klikuar KËTU /Kosovatimes/