Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës online TikTok duke rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për 12 muaj.

 

Në një deklaratë për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha se “kemi zhvilluar një seri të gjerë konsultimesh me prindërit, rreth 65 mijë prindër të pyetur në rreth 1300 takime të realizuara për sa i përket efekteve që lidhen me sigurinë e fëmijëve, që lidhen me sigurinë e tyre në mjedisin digjital dhe efektet negative që rrjetet sociale dhe platformat të cilat kanë përmbajtje të pakontrolluara mund të sjellin në shëndetin dhe mirëqenien psiko-emocionale të fëmijëve”.

“Në të gjithë këto takime që kemi kryer me qëllim edhe realizimin e planit të ri të veprimit për sa i përket forcimit të mekanizmave të parandalimit, sa i përket incidenteve të cilat më pas shkaktojnë incidente që lidhen me dhunën fizike dhe bullizmin dhe atë online kanë  qenë shumë proaktivë prindërit dhe kanë rekomanduar dhe kanë qenë pro mbylljes apo kufizimit të platformës TikTok”, tha Manastirliu.

Nga ana tjetër, vijoi ministrja, është ngritur një grup ndërinstitucional pune me pjesëmarrjen e institucioneve që kanë përgjegjësi direkte për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve edhe në hapësirat online.

“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për platformën TikTok deri në një periudhë  12-mujore, periudhë që do të na lejojë për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Kemi nisur një komunikim me përfaqësuesit e TikTok sa i takon filtrave të moshës së aksesit, të kontrollit prindëror dhe filtrave të domosdoshëm lidhur me të gjitha aspektet e komunikimit në gjuhën shqipe. Duke vendosur këto filtra do të parandalojmë edhe promovimin e sjelljeve që janë të padëshiruara që vijnë përmes komunikimit në platformën TikTok”, tha ministrja.

Manastirliu vuri në dukje se “Ministria e Arsimit është e ngarkuar që së bashku me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe me entet e tjera rregullatore dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të vendosë në kontakt dhe të negociojë me përfaqësues të platformës TikTok dhe rrjetet e tjera sociale të vendosim këto filtra të aksesit, të cilat do të minimizojnë këto risqe”.

“Periudha e kufizimit do të jetë deri në 12 muaj, një periudhë e domosdoshme për të vendosur gjithë komunikimin dhe për të negociuar për elementët dhe kushtet që ne kemi filluar diskutimet me ta. Ky është një vendim që ka në fokus dhe qëllim parësor interesin më të lartë të fëmijëve dhe të rinjve dhe sigurinë publike në mjedisin digjital”, tha Manastirliu.