Sipas tij, historia dhe shumë hulumtime shkencore tregojnë për lidhjen e thellë midis paqes dhe grave në udhëheqje, një lidhje që, sipas tij, nuk është statistikë, por edhe dëshmi se aty ku gratë udhëheqin, jeta është më e drejtë e më e mirë, për gratë, për burrat e për gjithë shoqërinë.

“E me gjithë këto, pengesat me të cilat përballen gratë, janë më të mëdha më të thella dhe më të padukshme sesa ato me të cilat përballen burrat. Shpesh është vetë struktura e pushtetit ajo që ua mbyllë dyert grave dhe i mbanë ato jashtë hapësirave të vendimmarrjes dhe larg kohës së pjesëmarrjes, padrejtësi këto që nuk janë as të rastësishme as të rralla, por të përditshme, sepse të ngulitura në vetë jetën publike e private”, tha shefi i ekzekutivit.

Kurti në këtë ceremoni tha se, gratë kanë më pak gjasa të keqpërdorin fondet publike, por më shumë gjasa të mbajnë barrën më të madhe të punës e përgjegjësisë për të mirën e përbashkët.

“Kur gratë udhëheqin, nuk udhëheqin vetëm për të marr një post, por edhe për të ndryshuar kuptimin e udhëheqjes. Nga studimet e ndryshme dëshmohet se gratë janë më pak të korruptuara nga burrat, e qytetarët gjithandej më së shumti e urrejnë korrupsionin”, potencoi kreu qeveritar.

Shefi i ekzekutivit shtoi se adresimi i padrejtësive dhe pabarazive gjinore ka qenë në qendër të punës  së tyre si qeveri, dhe tha se gjatë këtij mandati kanë bërë hapa që, sipas tij, nuk janë të vegjël.

“Kemi mbështetur direkt punësimin e 12 mijë grave, nga të rekrutuarat në Administratën Publike në vitin 2023, 48 për qind ishin gra, e në vitin 2024, 63 për qind gra. Mbështetem punësimin e mbi 4 mijë personave, prej tyre 55 për qind gra, të cilët nuk kanë pasur asnjë anëtar të familjes të punësuar, nëpërmjet programit “Qeveria për Familjet”, tha Kurti.