Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, ka deklaruar se ky subjekt politik synon ta bëjë qeverinë e re me pakicat joserbe.
Një deklaratë të tillë Konjufca e ka bërë për median italiane “OBCT” (Osservatorio Balcani e Caucaso Transeuropa), që është një institut kërkimor dhe media e pavarur me bazë në Itali, e specializuar në Ballkanin, Kaukazin dhe çështjet evropiane.
Bazuar në rezultatet aktuale, LVV ka 48 vende në parlament. Kjo parti kishte shpresuar se me votat nga diaspora do të arrinte 50 ulëse në parlament, por mbështetja e lartë fillestare e parë në votat e mërgatës në misionet diplomatike jashtë vendit u zvogëlua ndjeshëm gjatë numërimit të votave me postë nga diaspora, e për çka ky subjekt politik ka bërë kërkesë për anulim të tyre me pretendim se ato janë manipuluar nga LDK-ja.
“Siç e keni parë, qeveria ‘Kurti 2’ është formuar në bashkëpunim me pakicat joserbe. Ky është qëllimi ynë sepse ka pasur një efekt pozitiv në Kosovë, duke e penguar Listën Serbe, e cila vepron nën ndikimin e Beogradit, të ketë fuqi vendimtare siç ka pasur në qeveritë e kaluara”, tha Konjufca.
Pakicat joserbe kanë 10 vende të rezervuara në Kuvend. Duke siguruar mbështetjen e tyre, LVV mund të arrijë në 58 vende. Po ashtu, LVV po llogarit edhe në votën e Nenad Rashiqit, ministrit për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e deritashme.
Rashiq hyri në parlament pasi Lista Serbe nuk i fitoi të gjitha 10 vendet që tradicionalisht u ndaheshin serbëve, duke siguruar vetëm 9 vende në Kuvend.
Megjithatë, për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh të nevojshëm për formimin e qeverisë, LVV-së i duhen edhe dy deputetë të tjerë.
Sigurimi i kësaj mbështetjeje është sfidues pa bashkëpunim nga partitë opozitare, nëse ndonjë nga deputetët e tyre nuk vendosin të rreshtohen me Kurtin.
Megjithatë, Glauk Konjufca beson se bashkëpunimi me partitë opozitare është i vështirë të ndodhë.
“Nëse lind nevoja do të mblidhemi si lidership dhe do të vendosim për hapat e mëtejshëm, por deri më tani partitë opozitare kanë mbajtur qëndrim pengues. Sulmet ndaj LVV-së kanë qenë shumë agresive dhe mendoj se këto zgjedhje ishin mjaft jokonvencionale, me shumë akuza të padrejta dhe goditje të ulëta. Kjo ka lënë gjurmë”, ka shtuar Konjufca.