Në 26 vjetorin e masakrës së tregut në Mitrovicë, presidentja e shtetit Vjosa Osmani e ka quajtur atë akt barbar që thotë se u shuan shtatë jetë të pafajshme nga dora kriminale e regjimit gjenocidal.
“Sot, 26 vite më pas, kujtojmë me dhimbje shtatë jetët e pafajshme që u shuan tragjikisht në masakrën e tregut të Mitrovicës, ku dora kriminale e regjimit gjenocidal serb synoi që me granata ta thyejë shpirtin e një populli që luftonte për liri. Në mesin e viktimave kishte fëmijë e gra, njerëz të pafajshëm që, në vend të paqes, u përballën me brutalitetin”.
Osmani tha se dhimbja u gdhend përjetësisht edhe në trupat e 128 qytetarëve që po atë ditë mbetën të plagosur.
“128 qytetarë atë ditë mbeten të plagosur, ndaj dhimbja u gdhend përjetësisht në trupat e tyre dhe në zemrat tona. Ishte një sulm i pamëshirshëm, një akt barbar që kishte për synim të mbillte frikë, por në vend të saj, mbolli forcë dhe vendosmëri. Mitrovica nuk u thye. Kosova nuk u gjunjëzua”, ka shkruar presidentja në përkujtimin e saj në këtë ditë.
E para e shtetit ka përsëritur zotimi se do të kërkojnë drejtësi.
“Sot përkulemi me nderim përpara atyre që humbën jetën, përpara plagëve të një qyteti që u bë simbol i rezistencës. Në këtë përvjetor, e përsërisim zotimin tonë: ne do të kujtojmë, ne kërkojmë drejtësi dhe ne ecim përpara. Lavdi viktimave të masakrës së tregut të Mitrovicës! Lavdi të gjithë atyre që ranë për lirinë e Kosovës!”, thuhet në përkujtimin e presidentes Osmani për këtë masakër.