Përmes një njoftimi në ‘Facebook’ nga Presidenca bëhet e ditur se presidentja e vendit vlerësoi nismat rajonale të cilat po kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet shteteve fqinje në rajonin tonë, me ç’rast potencoi rëndësinë e mundësive të barabarta pa pengesa procedurale apo politike.

“Duke folur për Procesin e Berlinit, presidentja Osmani theksoi nevojën për të punuar edhe më shumë në rikthimin e fokusit në tema të interesit të veçantë, siç është zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftërave të fundit në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Tutje, presidentja Osmani theksoi rëndësinë jetike të investimit në fuqizimin e vajzave dhe grave, duke e cilësuar këtë si një parakusht për rritjen e mirëqenies dhe avancimin e zhvillimit të rajonit.

Gjithashtu, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka konfirmuar rolin e saj konstruktiv në rajon dhe riafirmoi angazhimin për integrimin e plotë në kuadrin rajonal.