Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Drejtorin Rajonal të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) për Evropë dhe Azinë Qendrore, Arthur Erken, ku kanë diskutuar për bashkëpunimin në iniciativa që synojnë fuqizimin ekonomik të grave.
Në kētë takim, Presidenca njofton se Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj për kontributin e vazhdueshëm dhe të çmuar të IOM-it në Kosovë gjatë 25 viteve të fundit, veçanërisht në periudhën e pasluftës, kur ndihma në rindërtimin e vendit, migracionin dhe asistencën humanitare ishte jetike për qytetarët e Kosovēs.
Osmani dhe Erken kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin në iniciativa që synojnë fuqizimin ekonomik të grave, krijimin e tregut atraktiv të punës për to dhe mbështetjen për krijimin e një mjedisi të favorshëm biznesor për të rinjtë.
Ndër të tjera u diskutua edhe për rolin dhe kontributin e mërgatës, rritjen e kualitetit tě jetës në mënyrë që të parandalohen valë të migracionit.
Presidentja rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të mbështetur IOM-in dhe për të forcuar më tej partneritetin, me qëllim krijimin e politikave të qëndrueshme dhe të efektshme në fushën e migracionit dhe integrimit social.