Në Beograd u mbajt një protestë masive kundër qeverisë së presidentit Aleksander Vuçiq, e cila grumbulloi, sipas vlerësimeve, disa qindra mijëra njerëz. Studentët njoftuan se protesta ka përfunduar pas incidenteve pranë Kuvendit të Serbisë.

 

Gjatë protestës, në momentin kur filloi heshtja prej 15 minutash për viktimat e tragjedisë në Novi Sad, ndodhi një incident pranë Parkut Pionir, ku persona të panjohur hodhën shishe dhe guralecë, duke shkaktuar tensione mes pjesëmarrësve. Reporterja jonë njoftoi se në një moment, gjatë heshtjes për viktimat në orën 19:00, njerëzit filluan të ikin, duke krijuar panik, por ata nuk e dinin se çfarë po ndodhte. Sipas deklaratave të studentëve që ishin pranë, “për shkak të incidenteve u njoftua se protesta nuk është më studentore dhe studentët u ftuan të kthehen në fakultete”. Në një moment, ekipi i RTK dëgjoi edhe zhurmën e një shpërthimi të topit.

Reporterja theksoi se rreth orës 22:00, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë mbetur në rrugë, pavarësisht se studentët kanë thënë se protesta ka përfunduar. Edhe rruga ende nuk është liruar plotësisht.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme njoftoi se në disa lokacione në qendër të Beogradit ndodhën incidente dhe përleshje mes disa pjesëmarrësve të protestës, “të cilët sulmuan disa herë anëtarët e policisë, duke u përpjekur t’i pengonin ata në kryerjen e detyrave të tyre dhe për të shkaktuar trazira më të mëdha”.

Studentët në bllokadë njoftuan se protesta ka përfunduar pasi “nga Parku Pionir u hodhën guralecë”.

“Protesta studentore ka përfunduar. Rojet tona hoqën jelekët. Apelojmë që qytetarët të tërhiqen sigurt,” thanë studentët në rrjetet sociale.

Organizatorët e protestës u distancuan nga këto incidente, duke theksuar se tubimi i tyre ishte paqësor dhe se ata nuk mbështesin dhunën.

Pjesëmarrësit filluan të shpërndahen pas orës 20:00 nga sheshi Slavija në Beograd, pasi protesta studentore dhe programi u ndërprenë. Fillimisht ishte njoftuar se protesta do të vazhdonte deri në orën 21:00.

Para protestës, autoritetet paralajmëruan për mundësinë e trazirave. Megjithatë, qeveria organizoi mbështetësit e saj në parkun përballë Kuvendit të Serbisë, duke rritur rrezikun e mundshme përshkallëzimi të situatës. Gjatë ditës, një numër i madh i forcave të policisë ishte i pranishëm rreth Parkut Pionir dhe Kuvendit.

Ky tubim përfaqëson kulmin e protestave disa mujore që filluan pas tragjedisë në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024, për shkak të shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor, humbën jetën 15 persona. Qytetarët akuzojnë qeverinë se aksidenti ndodhi për shkak të korrupsionit dhe neglizhencës. Protestat janë udhëhequr nga studentët e universiteteve për gati katër muaj. Demonstruesit kanë kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat e tragjedisë, duke besuar se ajo është pasojë e korrupsionit sistemik dhe mosrespektimit të rregulloreve të sigurisë.

Kjo protestë vlerësohet si një nga protestat më të mëdha në historinë e fundit të Serbisë dhe përbën një shprehje të rëndësishme të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisë aktuale, të cilët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe respektimin e parimeve demokratike.

Studentët bënë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë mbështetjen e tyre për luftën e tyre për ndryshime shoqërore.

“Duhet të tregojmë solidaritet dhe të ngremë zërin kundër padrejtësisë. Asnjë individ nuk duhet të jetë mbi të drejtat, ligjin dhe institucionet. Individu nuk është shteti – ne jemi shteti!” thanë studentët në fjalimin e tyre në protestë.

Një studente që iu drejtua të pranishmëve theksoi rëndësinë e luftës së përbashkët:
“Zëri juaj ka vlerë! Le të zgjojmë së bashku Serbinë dhe të qëndrojmë të vendosur – jo vetëm për studentët, por edhe për bujqit, punonjësit e arsimit, aktorët, gazetarët, inxhinierët… Për të gjithë ata që i kemi humbur dhe për ata që do t’i humbnim nëse do të vazhdonim të heshtnim. Nata është më e errët para agimit. Deri në përmbushjen e kërkesave!”

Ajo theksoi se studentët janë të vendosur të qëndrojnë të palëkundur dhe të luftojnë për një shoqëri më të drejtë, pavarësisht zhgënjimit që ndiejnë familjet e tyre.
“Lufta jonë nuk është luftë e një individi, por e të gjithëve ne, sepse prek të mirën e gjithë shoqërisë,” përfunduan studentët