Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot përvjetorin e masakrës së Poklekut. Ajo tha se Masakra e Poklekut është kujtesë që nuk shuhet dhe plagë që nuk mbyllet pa drejtësi.
Osmani ka thënë se ata u vranë mizorisht e pastaj u dogjën nga forca të regjimit gjenocidal serb, synim i të cilëve ishte shfarosja.
“Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç, ishte edhe Liria, një foshnjë vetëm 6 muajshe, që mbante emrin e një ideali që ende nuk e kishte jetuar. Ajo nuk e gëzoi kurrë lirinë. Por emri i saj mbetet amanet për secilin prej nesh. Të tillë mbeten edhe emrat e 23 të vrarëve në Çikatovë të Vjetër”, tha Osmani.
Presidentja Osmani ka theksuar se sot nuk mjafton t`i kujtojmë. “E kemi obligim të kërkojmë drejtësi. Jo vetëm për Lirinë, por për çdo fëmijë të vrarë, për çdo familje të shuar”.
Tutje ajo ka thënë se drejtësia nuk është hakmarrje. Është premtimi më minimal që ia kemi borxh viktimave.
“Është përgjegjësia jonë që ky krim të mos mbulohet nga pluhuri i harresës apo nga heshtja. Të mos ndalemi derisa drejtësia të triumfojë. Sepse pa të, pa të vërtetën e thënë dhe të njohur, pa përgjegjësi për krimet, nuk ka paqe të qëndrueshme”, ka theksuar Osmani.