PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kritikuar shtyrjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e quajtur akt anti kushtetues. Kurse Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër ka thënë, në deklarimin pas dështimit, se kishin vullnet për korrigjim të gabimeve.
Haxhiu: Duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit të Kosovës
Albulena Haxhiu nga VV ka thënë se ky subjekt ka qenë në gjendje të vazhdojë me procedura, por që duhet korrigjuar gabimet. Sipas saj, sa i përket votimit të raportit të mandateve të deputetëve, opsionale janë përgatitja e një raporti të ri apo krijimi i një komisioni tjetër.
“Ne si parti politike duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit të Kosovës. Kemi plot vullnet, por duhet të shohim se cila është mënyra për korrigjim, duke pasur parasysh që me asnjë ligj të mundshëm nuk është e paraparë një situatë e tillë. Deputetët që e kanë hartuar rregulloren e punës së Kuvendit nuk e kanë paraparë një moment të tillë”, ka thënë Haxhiu.
E Mimoza Kusari – Lila ka thënë PDK, LDK dhe AAk po e bllokojnë Kuvendin.
“Nuk ka asnjë logjikë tjetër përveçse bllokimi i institucionit më të lartë, sesa mos marrja pjesë apo votimi kundër marrjes së mandateve të tyre. Kjo ishte një procedurë e thjeshtë, që asnjëherë më parë nuk është bllokuar në formën se si është bërë tani”, ka thënë ajo.
Krasniqi e quan uzurpim partiak ndërprerjen e seancës
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ndërprerja e seancës së sotme dëshmon uzurpimin partiak të Kuvendit të Kosovës.
“Mund t’ju them që këta sot në mënyrë organizative kanë ardhur ta pengojnë seancën. Skenari ka qenë i qartë dhe e vetmja punë që e ka pasur sot kryesuesi i seancës ka qenë të thotë se sa persona janë të pranishëm dhe të hidhet në votim raporti. Sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Abdixhiku: Për keqardhje partia që bllokon institucionet
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se tashmë po dihet kush po i bllokon institucionet e vendit.
“Është për keqardhje kjo parti bllokuese e kushtetueshmërisë së Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë dhe nevojës së qytetarëve për të pasur institucione sa më parë. Kjo shkelje e rëndë, praktikë e pazakontë është shkelje e mrapshtë për të cilën nuk kemi arsyetime”, ka thënë ai.
Kadrijaj e quan anti kushtetuese shtyrjen e konstituimit
Time Kadrijaj nga AAK ka thënë se me kërkesën për konsultime, u dëshira blerja e kohës për mos votimin e raportit të mandateve.
“Kjo është anti kushtetuese, anti ligjore sepse në fakt Avni Dehari është dashur që atë raport ta hedh sot në votim, që deputetët sipas dëshirave dhe qëndrimeve të votojnë pro apo kundër, ose të abstenojnë”, ka thënë Kadrijaj.