(Plotësuar, 10:30) Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për herë të tretë nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për kryetare të Kuvendit.
Në votimin e sotëm 57 deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 3 kanë abstenuar. Kësisoj, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari ka thënë se në bazë të rezultateve të votimit kjo kandidate nuk kalon dhe si rrjedhojë seanca ndërpritet dhe do të vazhdojë të premten në orën 11:00. LDK votoi sërish kundër, derisa deputetët e Nismës edhe kësaj radhe abstenuan. Gjatë propozimit të Albulena Haxhiut, Glauk Konjufca u shpreh: “Lëvizja Vetëvendosje propozon atë që ishte gjithë, Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit dhe ju ftoj ta mbështesni dhe të dalim nga kjo bllokadë”, tha ai.
Murati: Konstituimi i Kuvendit është obligim i të gjithë deputetëve
Pas takimit konsultativ të thirrur nga kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Avni Dehari, ministri në detyrë i Financave dhe deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, theksoi rëndësinë e arritjes së një konsensusi ndërmjet partive politike për të zhbllokuar situatën aktuale në Kuvend.
Murati kujtoi se edhe pse ka kaluar kohë që nga mbajtja e zgjedhjeve, vendi ende ndodhet në seancën konstituive, dhe siç tha ai, është detyrë e 120 deputetëve të zgjedhur që të mundësojnë funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
“Takimi kishte për qëllim që, njësoj sikurse herën e kaluar kur arritëm një konsensus për të ecur përpara, të dakordohemi sërish për të zhbllokuar procesin”, tha Murati.
Ai shtoi se fillimisht kishte pasur taktizime nga opozita, me mosvotimin për verifikimin e mandateve, e më pas u votua dhe pati ecje para. Por, tashmë refuzohet votimi për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, që në këtë rast është propozuar nga partia fituese.
Sipas tij, qëndrimet e shprehura gjatë konsultimeve ishin kryesisht deklarative, por mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim konkret gjatë seancës së radhës.
“Shpresoj që të reflektohet dhe të ketë një ndryshim në seancë. Konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e një partie, por përgjegjësi e secilit deputet”, theksoi Murati.
Ai gjithashtu përkujtoi se, ndonëse formimi i Qeverisë i takon partisë fituese e cila duhet të sigurojë shumicën prej 61 votash, hapi i parë është konstituimi i Kuvendit, që hap rrugë për nisjen e procedurave të tjera kushtetuese dhe ligjore.
“Formimi i qeverisë i takon partisë fituese që t’i sigurojë 61 vota së paku, mirëpo konstituimi i kuvendit është barrë dhe përgjegjësi e të gjithë deputetëve. Pra të gjithë deputetët duhet të votojnë dhe duhet të sigurohemi që kuvendi të konstituohet sepse pastaj fillojnë edhe afatet për formimin e qeverisë”, tha ai.
AAK-ja thotë se Dehari nuk e ka të drejtën e thirrjes për takim konsultativ
(E plotësuar, 10:20) Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Time Kadrijaj, pas daljes së takimit konsultativ tha se propozimin për takim e kanë pranuar vetëm për të thënë se kjo nuk është është e drejtë.
Sepse siç theksoi Kadrijaj, kryesuesi i seancës Avni Dehari nuk e ka të drejtën e thirrjes së deputetëve apo të partive politike në konsultim.
“Rregullorja e Kuvendit e qartëson saktë, këta e kanë një kandidatë, është obligim i mazhorancës me i sigurua 61 vota pa Albulena Haxhiun”, tha Kadrijaj.
Ajo po ashtu theksoi se nuk është obligim i asnjë partie tjetër me e votu këtë mazhorancë dhe kryetarin e kuvendit.
“Bllokues i këtij procesi është Lëvizja Vetëvendosje, është Albin Kurti”, u shpreh ajo.
PDK e AAK e vlerësojnë të pakuptimtë takimin konsultativ |LIVE
(E plotësuar, 10:10) Takimi konsultativ i partive nuk ka përfunduar ende, por takimin e kanë
braktisur përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur gazetarja e RTK-së që ndodhet në ambientet e kuvendit, Elmina Osmani. Ajo ka thënë se në takim LDK nuk ka marrë pjesë fare.
Përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së prapa kamerës kanë deklaruar për RTK-në se LVV ka sjellë sërish emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare, prandaj e kanë quajtur të pakuptimtë ftesën e kryesuesit Avni Dehari për t’u konsultuar lidhur me zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, pasi ata tashmë janë deklaruar se nuk kanë votë për kandidaten e propozuar nga LVV.