Presidenca njofton se në fokus të bisedës ishin konsolidimi institucional, ruajtja e stabilitetit politik dhe funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës.

Presidentja Osmani vlerësoi rolin konstruktiv të Gjermanisë në mbështetjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë, duke theksuar se një partneritet i tillë është kyç për përparimin e vendit.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe për formimin e qeverisë së re gjermane, me ç’rast presidentja Osmani ka shprehur bindjen se përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të mbetet prioritet edhe në këtë kapitull të ri politik në Berlin.

“Në takim u theksua rëndësia e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. presidentja Osmani vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë si mbështetëse e fuqishme e perspektivës evropiane të Kosovës dhe e theksoi domosdoshmërinë që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në kuadër të institucioneve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe edicionit të sivjetmë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në Prishtinë, si dhe bashkëpunimit të rregullt drejt avancimit të kësaj agjende.