Kandidatja për kryekuvendare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për të gjashtën herë ka dështuar të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Për të dal nga kjo situatë kryetari i LVV-së njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti i ka ftuar në takim të përbashkët kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Përmes letrave dërguar atyre, Kurti ka thënë se takimi ka për qëllim konsultativ për konstituimin e Kuvendit.

“Me qëllim konstituimin e Kuvendit të Republikës, duhet zgjedhur kryesia e Kuvendit, së pari kryetari pastaj edhe pesë nënkryetarët. Duke u bazuar në Kushtetutë, tre nënkryetarë do të jenë nga tri partitë fituese që fituan më së shumti ulëse, andaj ju ftoj për një takim të përbashkët”, thuhet mes tjerash në dy letrat e dërguara në drejtim të Abdixhikut dhe Krasniqit.

Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka konfirmuar gatishmërinë për takim, e LDK-ja i është përgjigjur negativisht ftesës.