Është rikthyer marrëveshja e Kosovës dhe Shqipërisë, e arritur një vit më parë, ku për nëntë muaj udhëtarët nga dy vendet do të lëvizin të lirë në të gjitha pikat kufitare pa pasur nevojë të ndalojnë për identifikim.
Qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës që nga kjo enjte deri më 30 shtator do të kalojnë përmes pikave kufitare të përbashkëta pa kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar. Kjo falë rikthimit të zbatimit të marrëveshjes së firmosur pranverën e vitit të kaluar nga dy qeveritë.
“Kufi nuk është dashur të kemi, por për fat të keq Evropa, ashtu e dëshiron edhe ashtu ka ekzistuar kufiri, përndryshe kufiri nuk duhet të ekzistojë aty, sepse ne jemi andej shqiptarë, këtej shqiptarë, andej kam daj e nip e miq, këndej ata kanë daj e vëllezër”, tha Muharrem Muji.
“Sot si ditë feste ju duke ardhur këtej ne duke ardhur nga ju në Prizrenin legjendar, festat i këmbejmë, por më shumë ju vinë nga ne”, tha Sylejman Kovaçi Bajra.
“Mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të ketë fare pikë kufitare, për çfarë arsye të ketë? Ky është bashkimi ynë”, tha Defrim Kadriu.
E në prag të sezonit veror, edhe këtë vit lëvizja e lirë filloi më 1 maj. Qytetarët janë të informuar tashmë.
Shkurtimi i barrierave kufitare mundëson më shumë liri për qytetarët dhe i afron edhe më shumë dy vendet që ndajnë gjuhën, kulturën dhe historinë, thonë qytetarët.