Kancelari gjerman Friedrich Merz falënderon udhëheqësit e Kosovës për urimet në rastin e zgjedhjes së tij.
Kancelari i sapozgjedhur i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj udhëheqësve të Kosovës për urimet që i kanë dërguar me rastin e marrjes së detyrës së re.
Përmes platformës “X”, Merz ka falënderuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani për mesazhet e tyre.
Kryeministri Kurti, në urimin e tij, theksoi lidhjet e ngushta mes Kosovës dhe Gjermanisë, duke përmendur vlerat e përbashkëta dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.
Ndërsa presidentja Osmani vlerësoi rolin udhëheqës të Gjermanisë në një moment vendimtar për unitetin dhe sigurinë evropiane, duke e cilësuar atë si tejet të rëndësishëm edhe për Kosovën.
Kancelari Merz i ka përshëndetur këto urime me mirënjohje, duke konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.