Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur takimin e ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me partitë politike për të diskutuar zgjidhjet e mundshme të ngërçit institucional. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia që ai udhëheq do të marrë pjesë në këtë takim me propozimin për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, si rrugëdalje nga situata aktuale.
“LDK-ja mirëpret secilën mundësi në funksion të daljes nga kjo gjendje, përfshirë takimin e përbashkët të ftuar nga Presidentja. Por që një nismë të ketë sukses, duhet të paraprihet me ide të reja”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se propozimi i LDK-së mbetet alternativa e vetme e përgjegjshme dhe shtetare në skenë.
“Zgjidhja e mundshme e propozuar nga ne mbetet si rrugëzgjidhje me shumë përfitime për vendin, sepse, më shumë se dëshirat partiake, Kosova ka nevojë për institucione funksionale”, ka theksuar kreu i LDK-së.
Ai ka kritikuar dështimin e përsëritur të seancave të Kuvendit për formimin e institucioneve, duke theksuar se qytetarët me të drejtë ndihen të zhgënjyer. “Nesër bëhet hera e 15-të që mblidhemi për të pritur rezultatin e njëjtë. Në horizont nuk duket fundi i kësaj praktike pa rezultat”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka theksuar se askush sot nuk ka shumicë për të formuar një qeveri të qëndrueshme, dhe se kriza institucionale po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve përmes çmimeve të larta, pagave të pamjaftueshme dhe mungesës së projekteve zhvillimore.
Propozimi i LDK-së, sipas Abdixhikut, është formimi i një Qeverie Nacionale të Tranzicionit me mandat të kufizuar, që do të punojë në funksion të adresimit të sfidave urgjente dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme, deri në zgjedhjen e Presidentit.
“Jo për ta ndarë shtetin mes partive, por për ta mbrojtur atë nga paraliza institucionale”, ka shkruar kreu i LDK-së në Facebook.