Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri Rama, gjersa përgjatë samitit, do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa së bashku me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, njofton Presidenca.

Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë.

Në kuadër të Samitit, presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë që të diskutojnë çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.