Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Mbretërinë e Bashkuar lidhur me çështjen e krijimit të qendrave për kthimin e migrantëve. Megjithatw ajo thekson se Kosova do të ishte e hapur për diskutim.
“Nuk ka pasur bisedime formale me Mbretërinë e Bashkuar për këtë çështje. Nuk është ngritur deri tani. Ne do të ishim të hapur për ta diskutuar, megjithatë nuk mund të them më shumë se kaq, sepse nuk i di detajet. Nuk mund të jap një përgjigje për një kërkesë që ende nuk është bërë,” deklaroi Osmani.
Ajo e përshkroi Britaninë e Madhe si një “aleat të palëkundur”, duke theksuar se teknologjia britanike është duke u përdorur në Kosovë për të parandaluar kontrabandën dhe për të ndalur kalimet e paligjshme drejt brigjeve britanike.
Artikulli i publikuar nga Sky News vjen pasi kryeministri britanik Sir Keir Starmer deklaroi të enjten se Britania e Madhe është “në bisedime me një numër vendesh për qendra kthimi”, gjatë një konference për shtyp me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Megjithatë, përveç Kosovës, edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mohoi të jetë kontaktuar nga Londra. “Nuk jam i informuar për këtë. Duhet të flasim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar më vonë gjatë ditës,” tha ai, duke shtuar se “jo, ende jo” kur u pyet nëse kanë nisur bisedime formale.
Sky News raporton se Mbretëria e Bashkuar mund të jetë në bisedime me deri në nëntë shtete për vendosjen e këtyre qendrave. Ballkani Perëndimor, ku përfshihen edhe Kosova dhe Maqedonia e Veriut, është një nga rajonet kryesore për tranzitin e migrantëve nga Azia dhe Afrika drejt Evropës.
Ndërkohë, edhe kryeministri shqiptar Edi Rama e ka hedhur poshtë publikisht idenë për një qendër të tillë në Shqipëri, duke theksuar se marrëveshja me Italinë është një rast i veçantë dhe i ndarë nga çdo bashkëpunim tjetër.