Departamenti i Policisë Kufitare ka arrestuar tre persona në tri raste të ndara më 16 maj 2025, në pikëkalimet kufitare dhe në Aeroportin e Prishtinës, për vepra penale që lidhen me korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas policisë, në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, në orën 19:20 është arrestuar një shtetas i Kosovës, pasi i kishte ofruar 10 euro ryshfet një zyrtari policor. Vetëm dy orë më vonë, po në të njëjtin pikëkalim, një person tjetër tentoi t’i japë ryshfet prej 1000 lekësh një zyrtari policor. Të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Ndërkohë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, në orën 17:50, është arrestuar një shtetas i Turqisë pasi gjatë kontrollit të dokumenteve kishte prezantuar një leje qëndrimi të Polonisë, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Dokumenti është konfiskuar dhe personi është dërguar në mbajtje.