Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi sot një takim me Kursantët e Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme Franceze (IHEMI) të cilët ndodhen në Tiranë.
Sipas ministrit “vizita vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, pas një procesi elektoral të qetë dhe pas Samitit të Komunitetit Politik Europian, ku Shqipëria tregoi se është një partner i besueshëm, me vizion të qartë europian”.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë.
Në fjalën e tij para kursantëve, ministri Hoxha theksoi se vendi ka pasur zhvillime pozitive vitet e fundit.
Duke u ndalur tek turizmi, Hoxha tha se në 12 milionë turistë, patëm 0 rekorde në raportime për sa i përket kriminalitetit. Hoxha tha se kontrollojmë territorin 100%.
“Vitin që kaloi e mbyllëm aktivitetin e turizmit me 12 milionë turistë dhe jam shumë krenar për të thënë këtë gjë që vendi jonë është një vend shumë i sigurt. Nga 12 milionë turistë, ne patëm 0 rekorde në raportime për sa i përket kriminalitetit që lidhet drejt për drejt me turizmin, pra asnjë ngjarje kriminale me turistë të huaj. Jemi pothuajse të barabartë me vend të Evropës jemi shumë të sigurt në vendin tonë. Në Berlin ka lagje ku policia hyn me vështirësi ne e kontrollojmë territorin 100%. Në këtë vizitë ju do të shikoni me pozitivitet gjithçka që lidhet me Shqipërinë”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi dhe aspiratën e vendit për tu bërë pjesë e BE-së.
“Ne jemi në një proces transformimi, ky është basti jonë i historisë ne duhet ta kapim këtë tren dhe ky është treni jonë i fundit”, u shpreh Hoxha.