Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, në një takim me gazetar në prag të Vitit të Ri ka biseduar për zhvillimet politike që e kanë përcjellë Kosovën përgjatë këtij viti dhe për pritjet e Washingtonit për vitin 2023.
Hovenier e ka thënë shumë prerë se ShBA-ja pret që Kosova të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës por në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Gjithashtu ka theksuar se ShBA-ja nuk përkrah një Asociacion që do të defunksionalizonte shtetin e Kosovës. Hovenier gjithashtu ka folur edhe për veriun e Republikës së Kosovës duke thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Kosovën në vitin 2008 me kufijtë ekzistues dhe për Shtëpinë e Bardhë veriu është pjesë e Republikës së Kosovës dhe se Amerika e trajton ashtu.
Pyetja: Vuçiq tha dje se ai ka marrë garanci nga BE dhe ShBA. A mund të na thoni se çfarë janë këto garanci?
Hovenier: Zotimi apo garancion i vetëm që ne e kemi bërë janë publikisht të njohura. Po supozoj se Presidenti Vuçiq i është referuar direkt deklaratës së ShBA-së dhe BE-së të 28 dhjetorit, e cila fliste për eskalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe për perspektivën tonë për situatën. Një thirrje që ne e bëmë për të gjithë që të përmbahen maksimalisht dhe të de-eskalohet situata, e cila përsërit disa nga mirëkuptimet që kemi pasur me lidershipin e Kosovës për çështje të komunitetit serb në Kosovë dhe gjithashtu edhe thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të rikthehen në sigurimin e ambientit drejt pajtimit dhe bashkëpunimit e stabilitetit rajonal. Edhe ju jeni po aq të njohur sa unë me çfarëdo zotimi që ne e kemi bërë për cilëndo palë.
Pyetje: A besoni se kjo do të përshpejtojë procesin e bisedimeve pas vitit të ri?
Hovenier: Unë sinqerisht besoj në këtë dhe ky është qëllimi ynë dhe i BE-së. Askush nga ne nuk ka shpresuar të shoh një numër të çështjeve emergjente që kanë ndodhur, që sipas perspektivës tonë e kanë penguar pak rrugën për gjëra me rëndësi. Ne jemi të përkushtuar të punojmë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër njohjen e ndërsjellë. Ne besojmë që mënyra më e mirë përpara është që me urgjencë të diskutohet për propozimin e BE-së, që përkrahet nga Franca dhe Gjermania, që ShBA e përkrahë plotësisht. Ky kontribuon drejt në arritjen e një marrëveshje në disa çështje me rëndësi ndërmjet dy shteteve. Por, ato për çka Miroslav Lajçak së fundmi ka folur në një intervistë është se janë disa kriza së fundmi që e kanë bërë të vështirë që të fokusohemi në këtë qëllim më të gjerë strategjik por ne shpresojmë shumë se në vitin e ri do të ketë vazhdim të këtyre bisedimeve dhe do të punojmë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.
Pyetje: Kemi dëgjuar së fundmi shumë zhgënjim nga ShBA-ja drejtuar institucioneve të Kosovës, kryesisht mënyra si është menaxhuar situata në veri. A ka dëmtuar në ndonjë formë kjo raportet Kosovë – ShBA dhe si ishte të negocionit me Kurtin që të tërhiqet nga vendimi për targat? Në këtë aspekt, mund të jeni në dijeni se ai ka thënë që keni pasur ju më shumë informacione se ai prandaj ka vendosur kështu, a pajtoheni me ketë?
Hovenier: Kishte deklarata specifike nga zyrtarë amerikanë jo në javët e fundit por më herët që shprehnin shqetësim për pozicionet e Qeverisë së Kosovës. Ne ndajmë objektivat e njëjta strategjike, ne duam ta shohim Kosovën në Bashkimin Evropian dhe organizatat euro-atlantike, duam të shohim progres në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Në disa raste, nuk jemi pajtuar, jo në objektivat strategjike por në taktikat që të mbërrijmë atje dhe mendoj se çështja e targave ishte një shembull i qartë i kësaj. Ne e kemi pranuar të drejtën e Kosovës që njerëzit që jetojnë në Kosovë, do të kenë tabela të Kosovës. Por, nuk u pajtuam në mënyrën dhe kohën për ta zbatuar këtë dhe kjo rezultoi në shprehjen e një zhgënjimi sepse e gjetëm veten në një situatë, ku gjërat sipas perspektivës të Qeverisë amerikane dhe partnerëve tanë, që nuk do të duhej të bëheshin pika ndezëse u bën potencialisht të tilla. A i ka dëmtuar kjo raportet tona? Nuk besoj kështu, as institucionalisht e as privatisht. Unë kam raporte bashkëpunuese dhe besoj të respektit të ndërsjellë si me kryeministrin Albin Kurti ashtu edhe me Presidenten Osmani. ShBA-ja është përkrahëse e objektiva të afatgjate të Kosovës siç ka qenë gjithmonë. Ne me siguri ende do të kemi disa dallime në mënyrat taktike se si t’i arrijmë rezultatet e njëjta. Më duhet të nënvizoj se prioriteti ynë dhe besoj edhe i Qeverisë së Kosovës është që të punojmë në një ambient ku nuk kemi kriza ose pika ndezëse që krijojnë një situatë ku ajo bëhet agjenda në vend të agjendës me rëndësi dhe strategjike për normalizim të raporteve me Serbinë dhe ne do të punojmë fuqishëm që të shtyjmë këtë përpara herët në vitin e ri.