“Në këtë ditë u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në një Kosovë të trazuar nga lufta, që po vinte pashmangshëm, por edhe e frymëzuar nga shpresa për një të ardhme të lirisë dhe pavarësisë.  Zgjedhjet e 24 majit përbënin jo vetëm një ngjarje të rëndësishme elektorale, por edhe fillimin e një rrugëtimi të gjatë e të vështirë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, me synimin për ta parë Kosovën një ditë si një shtet të pavarur dhe demokratik”, thotë LDK-ja.

Sipas kësaj partie, ky proces shënoi gjithashtu ngjarjen historike të zgjedhjes së Presidentit të parë të Kosovës.

“Dr. Ibrahim Rugova, si udhëheqës i Kosovës, u bë udhërrëfyes, misionar, duke udhëhequr me përkushtim dhe vizion një popull të tërë në rrugën e tij për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai ishte, dhe mbetet, një figurë e pazëvendësueshme, një prijës shpirtëror dhe politik që orientoi kombin në një periudhë të vështirë dhe në kërkimin për njohjen ndërkombëtare”.

Lidhja Demokratike e  Kosovës thotë se Rugova me vizionin dhe angazhimin e tij, u bë arkitekt i shtetësisë së Kosovës dhe projektues i pavarësisë.