“Kam pasur një bisedë të mirë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E informova për sulmet e fundit ruse me raketa dhe dronë. Këto sulme tregojnë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për presion mjaft të fortë për ta bërë atë më në fund të ndalet. Ne llogarisim në të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim që do të ndërmerren në të ardhmen e afërt”, shkruan Zelensky.

Po ashtu, presidenti ukrainas bën me dije se ka ftuar kryeministrin Rama që të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore, i cili do të mbahet në Odesa, teksa falënderon Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës.

“Diskutuam edhe për bashkëpunimin tonë me partnerët evropianë dhe unitetin tonë. E ftova kryeministrin të marrë pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore dhe Shqipëria do të përfaqësohet. Faleminderit, Shqipëri, për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit tonë”, përfundon postimin e tij Zelensky.

Tashmë ka pasur tre samite “Ukraina – Evropa Juglindore”, ku i fundit, i mbajtur në tetor të vitit të kaluar, u organizua nga Kroacia. Takimi i parë i tillë i nivelit të lartë u mbajt në Athinë, në gusht të vitit 2023.