Mediat britanike kanë thënë se vendi i tyre mund t’i kërkojë Kosovës hapjen e “qendrave të kthimit”.
Duke cituar gazetën The Times, The Independent shkruan se “Kosova është vendosur në një listë prej nëntë vendesh, që shihen si të mundshme për hapjen e “qendrave të kthimit”. Përveç Kosovës në këtë listë ndodhen edhe Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”.
“Qendrat e kthimit” do të strehojnë azilkërkuesit pasi atyre tu jenë konsumuar të gjitha të drejtat e tyre ligjore për të kërkuar strehim në Mbretërinë e Bashkuar. Më pas, ata do të dëbohen në vendin e tyre nga këto qendra, shkruan the Independent.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se vendi do të jetë i hapur për të diskutuar strehimin e azilkërkuesve të refuzuar nga Mbretëria e Bashkuar.
“Nuk ka pasur bisedime zyrtare me Mbretërinë e Bashkuar për këtë çështje. Do të ishim të hapur për ta diskutuar, megjithatë, nuk mund të them më shumë se kaq, sepse nuk i di detajet”, ka cituar Presidenten Osmani, Indepedent.
Duke cituar The Times, the Independent shkruan tutje se “Mbretëria e Bashkuar dëshiron që bisedimet mbi këtë temë të fillojnë para një takimi të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në vjeshtë në Londër”.
Pothuajse 22.000 emigrantë janë regjistruan duke përdorur Ballkanin Perëndimor si rrugë transiti në mënyrë të parregullt për të kërkuar azil në Evropë vitin e kaluar, shkruan The Independent duke u thirrur në të dhënat e Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Gazeta citon gjithashtu Sekretarin e Jashtëm David Lammy, të ketë thënë se disa pjesë të Ballkanit Perëndimor “janë bërë një rrugë kryesore transiti për migrimin e parregullt dhe krimin e organizuar”.
Idenë e “qendrave të kthimit” e ka ngritur kryeministri britanik Sir Keir Starmer gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, ka shkruar the Independet.