Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se janë arrestuar 15 persona nën dyshimin për veprat penale “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “Mashtrim kompjuterik”.
Prokuroria Themelore në Gjilan, njofton se të lartcekurit dyshohen se gjatë periudhës kohore janar – tetor 2024, në komunën e Vitisë, në bashkëpunim dhe në marrëveshje paraprake mes vete kanë vepruar në mënyrë të organizuar me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, duke ndërhyrë në funksionimin e sistemit kompjuterik të një institucioni bankar.
Sipas Prokurorisë, të arrestuarit janë B.B., B.S., I.A., R.I., A.H., B.J., B.B., B.M., D.G., E.G., E.A., B.M., A.M., A.I. dhe Sh.M..
“Nga hetimet paraprake, dyshohet se të pandehurit kanë shfrytëzuar hapësirën kohore prej 15 sekondash gjatë sinkronizimit ndërmjet transaksioneve të E-Banking dhe ATM-ve, për tërheqjen e shumave të ndryshme të parave nga Raiffeisen Bank, duke shkaktuar dëm material në shumë prej njëqind e tetëdhjetë e gjashtë (186.000) mijë euro përmes mashtrimit dhe ndërhyrjes në sistemin kompjuterik të bankës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Prokuroria pas ndalimit të të dyshuarve, thotë se do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale të cekura si më lartë.
Tutje, Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë sigurinë dhe integritetin e sistemeve financiare në vend.