Të pranishëm ishin edhe kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, përfaqësues nga Bashkimi Evropian dhe nga Fondi i Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё (FKEE).

Sipas njoftimit, këto renovime janë të bashkëfinancuara nga Qeveria dhe Bashkimi Evropian, me kontribut 10 për qind edhe nga komuna. Dy hapësirat me sipërfaqe prej rreth 4 000 metrash katrorë janë të ndërtuara në vitet 2006 dhe 2008, e tashmë po renovohen me masa të efiçiencës së energjisë, me vlerë investimi rreth 500 mijë euro.

“Prej këtyre 59 familjeve që janë, 15 prej tyre janë me kryefamiljare gra, gjithsej janë 370 anëtarë, që do të thotë se ka shumë fëmijë dhe me termoizolimin e kulmit të mureve, me ndryshimin e atmosferës së brendshme shumë më të rregullt e më të pastër, me ndërrimin e dritareve edhe të dyerve, me fasada të reja, do të kenë kushte të dinjitetshme të gjithë banorët këtu, shumica dërrmuese e të cilëve janë të komuniteteve joshumicë, sidomos romë e ashkalinj”, deklaroi Kurti, njofton qeveria.

Ai shtoi se projekti i gjithmbarshëm për efiçiencë të energjisë elektrike ka vlerë prej 6 milionë euro dhe po bëhet në 27 banesa sociale anembanë Kosovës. Me këtë efiçiencë të energjisë elektrike, nëpërmjet renovimit të ndërtesave, kursehet 73 për qind energjia elektrike.

Ndërkaq ministrja Rizvanolli tha se “Kur e kemi dizajnuar këtë projekt së bashku me BE-në para tri vitesh, qëllim dhe sfidë kryesore ka qenë balancimi i dy objektivave: efiçienca e energjisë në njërën anë dhe arritja tek qytetarët që më së shumti kanë nevojë. Projekti i banesave sociale, rreth 6 milionë euro, dy prej të cilave i kemi këtu sot, e arrin në mënyrën më perfekte balancimin e këtyre dy objektivave, dhe më vjen shumë mirë që kemi arrit tek qytetarët e Republikës së Kosovës që më së shumti kanë nevojë, përfshirë dhe komunitetet pakicë edhe nënat vetushqyese e kategori të tjera”.

Ajo shtoi se pas investimeve, kursimi i energjisë në këto ndërtesa do të jetë 71 për qind në njërën dhe 75 për qind në tjetrën, dhe kjo do të thotë jo vetëm fatura më të ulëta, shpenzime më pak, por gjithashtu edhe rehati shumë më e madhe për banorët.

Ndërkohë ministri Krasniqi tha se këtij investimi aktual i ka paraprirë edhe një investim tjetër i qeverisë bashkë me komunën e Obiliqit, ku janë rregulluar hapësirat përreth ndërtesave e poashtu edhe depot për secilën njësi banesore, duke finalizuar një investim që tashmë e bën jetën më të lehtë për qytetarët e komuniteteve që jetojnë në këto banesa.

Nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, Driton Hetemi tha se fondi ka realizuar shumë projekte, në 86 objekte publike, ku 17 janë duke u përfunduar, me rreth 3500 familje si përfituese nga fondi i BE-së.

Përfaqësuesi prezent nga Bashkimi Evropian shprehu se përmes këtij projekti po bëhet ndryshim i prekshëm në jetën e qytetarëve dhe se e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj është në BE e duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë vizion.