Në një nga zyrat e Kuvendit të Republikës ka nisur takimi i thirrur nga e para e shtetit, Vjosa Osmani, me liderë të partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Takimi konsultativ, i cili ka filluar nga ora 14:00. Ndryshe nga partitë e tjera që po përfaqësohen nga liderët e tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar Albulena Haxhiun.
Nga PDK-ja aty është Memli Krasnqi si kryetar i kësaj partie. Edhe LDK-ja po përfaqësohet nga kreu i saj, Lumir Abdixhiku.
Aty është edhe Ramush Haradinaj që e drejton AAK-në, e Faton Peci që është bashkëkryesues i partisë “Guxo”, sikurse edhe Mimoza Kusari- Lila që e drejton “Alternativën”, këta dy të fundit që janë në koalicion në nivel qendror me LVV-në.
Edhe Fatmir Limaj i është përgjigjur ftesës së presidentes, sikurse edhe përfaqësues të partive nga komunitetet në vend, por jo edhe Lista Serbe.
Nga Presidenca e Kosovës kanë thënë se menjëherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve lokale.