Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën “arrest me burg” për Kryebashkiakun Erjon Veliaj dhe “arrest shtëpie” për biznesmenin Elman Abule.

 

Vetë kryebashkiaku nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme, ndërsa avokati i tij dhe avokati i biznesmenit Abule janë njohur me informacionin dy mujor mbi ecurinë e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme.

Si argument të ri prokuroria ka paraqitur faktin se apartamenti mbi shtëpinë e kryebashkiakut, zotërohet në mënyrë të tërthortë nga cifti Xoxa-Veliaj.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, në ambientet e Bashkisë së Tiranës, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në 9 raste, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të këtij hetimi, edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, është marrë e pandehur, duke iu caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar së bashku me Gjykatën e Posaçme sekuestruan një pronë të kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij në zonën e Kodrës së Diellit.